Një zjarr shpërtheu në Galerinë Kombëtare të Artit të Abkhazisë – një rajon separatist pro-rus që është zyrtarisht pjesë e Gjeorgjisë – në orët e hershme të mëngjesit të së dielës, duke shkatërruar të paktën 4 mijë vepra arti, raportojnë mediat shtetërore lokale.
"Gjithçka u dogj," tha ministrja në detyrë e Kulturës Dinara Smyr, sipas agjencisë së lajmeve të rajonit Apsnypress. “Kjo është një humbje e pariparueshme për kulturën kombëtare të Abkhazisë. Po mbytem nga lotët. Është e vështirë për mua të flas.”
Galeria Kombëtare e Arteve është në Sukhumi, kryeqyteti i Abkhazia, e cila ka shpallur qeverinë e saj dhe mbështetet nga Rusia, por nuk njihet zyrtarisht si shtet nga shumica e vendeve apo nga Kombet e Bashkuara. Sipas Komitetit Shtetëror të Statistikave të Abkhazisë, popullsia e rajonit ishte rreth 244.000 në vitin 2021.
Salla Qendrore e Ekspozitave të Galerisë Kombëtare të Arteve mori flakë gjatë natës dhe shërbimet e urgjencës u thirrën në vendngjarje herët në mëngjes të së dielës, sipas medias shtetërore. Deri në orën 7 të mëngjesit me orën lokale, flakët u frenuan dhe deri në orën 11 të mëngjesit, zjarri u shua, njofton Apsnypress, duke shtuar se 11 brigada zjarrfikëse u thirrën në vend nga zonat përreth.
Në një postim në rrjetet sociale, presidentja e Gjeorgjisë Salome Zourabichvili e quajti zjarrin një "tragjedi". /CNN