Ministri i Brendshëm Taulant Balla po ndjek nga afër betejën me flakët të forcave të Emergjencave Civile dhe zjarrfikësve zonën e Shëngjinit, ku gjatë ditës së sotme flakët janë përhapur duke rrezikuar banesat dhe sipërmarrjet në zonë.
Ministri Balla, në një komunikim për mediat, tha se aktualisht janë 5 vatra zjarri aktive. Ai tha se ka komunikuar dhe me homologun slloven, ku ka kërkuar mbështetje në këtë betejë me flakët.
Sipas tij, era është një faktor negativ në betejën me flakët.
“Nëse ndalet era, sipas parashkimeve diku pas mesnatës së stome, situata do të përmirësohet. Në kushtet e kësaj ere, puna jonë është e pamundur të japi rezultatin që duam të gjitha. Këtu po luftohet prej më shumë e 24 orësh tanimë, pa ndërprerje. Dhe ne na duhet një pjesë e zjarrfikësve në vende ku shfaqen vatrat e reja të zjarrit, pasi janë 5 vatra zjarri aktive. Situata më e vështirë është këtu ku shikoni, por edhe pjesa tek Rana e Hedhun. Por jam i shqetësuar edhe për kurorën në qytet, tek kisha. Janë të gjitha aty për të ndërhyrë”, tha Balla.
Ministri Balla, tha se nuk ka asnjë hotel të prekur nga zjarri. Sipas tij, po punohet me kapacitet të plotë për të mënjanuar përhapjen e flakëve.
“Asnjë hotel nuk është përfshirë nga flakët. Strukturat shtetërore janë në krye të detyrës. Do të bëjmë detyrën dhe shpresojmë të kemi motin në favor. Nuk kemi hotel të përfshirë nga zjarri. Patjetër janë rrezikuar. Edhe një banesë tre katëshe ku zjarri ka preku pjesën e çatisë, zjarr nuk ka ardhur nga pjesa që e rrethon por nga çatia. Hetimet do i bëjmë më mbrapa. Vlerësimet e dëmeve do ti bëjmë më pas. Ne duam të garantojmë jetën e qytetarë dhe turistëve në këtë zonë, më pas do të bëhet dhe bilanci i dëmeve”, tha Balla në komunikimin e tij me gazetarët./ATSH