Zjarri në Prevallë vazhdon të jetë aktiv, por është lokalizuar dhe në vend të ngjarjes janë pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Përveç në Prevallë, gjatë ditës së sotme aktiv është edhe një zjarr malor në Shtërpcë, dhe një tjetër në Istog ku janë djegur ushqime bagëtie. Kjo është situatë aktuale me zjarret e raportuar nga Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave (AME), ku zëdhënësi Nehat Koqinaj thotë se mbrëmë vonë ka pasur zjarr edhe në afërsi të sipërfaqes së KEK-ut.
Në intervistë për KosovaPress, ai shton se hapësira e përfshirë nga zjarri në Prevallë është nën kontroll të plot dhe nuk paraqet rrezik për jetë.
Përveç në hapësirat e Prevallës, zëdhënësi i Agjencisë e Menaxhimit të Emergjencave tregon se mbrëmë vonë është shkaktuar një zjarr edhe në afërsi të KEK-ut.
Dje e sot në Prishtinë kanë qenë 14 raste të zjarreve fushore, gjashtë në objekte dhe dy zjarre në sipërfaqe pyjore. Ndërkaq në Podujevë janë shkaktuar dy zjarre fushore dhe dy pyjore.