Sindikata e Zjarrfikësve të Kosovës, me rastin e Ditës ndërkombëtare të zjarrfikjes dhe shpëtimit, kërkon nga institucionet e vendit që të punojnë për tejkalimin e gjendjes së rënduar të zjarrfikësve, krijimin e kushteve normale të punës dhe ngritjen e kapaciteteve operative.
Në reagimin e saj, sindikata përkujton se kjo ditë i gjen zjarrfikësit në Kosovë në gjendje jo të mirë, me status të pazgjidhur dhe të pa definuar sa i përket kompetencave menaxhuese, si dhe kushteve e pajisjeve të punës.
Sindikata e Zjarrfikësve të Kosovës thotë se sfidë tjetër mbetet numri i vogël i zjarrfikësve, mungesa e pajisjeve dhe mjeteve të punës, pajisje të pa testuar sipas deklaratës së prodhuesit, mos aplikimi i masave për mbrojtje e siguri në punë, mungesa e sigurimeve shëndetësore, dhe shkeljet e të drejtave të kësaj kategorie.
“Askush nuk merr përgjegjësinë që iu takon si punëdhënës që të përkujdeset për të përmbushur obligimet që dalin nga aktet ligjore dhe nga kontrata e themelimit të marrëdhënies së punës dhe konsiderojmë se këto shkelje ligjore e diskriminime po rëndojnë mbi supet e zjarrfikësve”, thuhet më tej në reagim.
Gjithashtu u bëhet thirrje Zyrës së Kryeministrit, Ministrisë së Brendshme, AME dhe kryetarëve të komunave, që me rastin e ditës se zjarrfikësve t’i vizitojnë shërbimet e zjarrfikjes dhe shpëtimit në Kosovë, për t’u solidarizuar me punën që ata bëjnë, si dhe për të parë nga afër problemet me të cilat po përballen.