Seanca e sotme e Kuvendit nisi me tensione për shkak se deputetët e opozitës bllokuan sërish foltoren e Kuvendit me karrige, ndërsa ndezën tymuese në sallë.
Seanca do të diskutonte projektbuxhetin dhe paketën fiskale 2024.
Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla nisi seancën me leximin e rendit të ditës dhe njoftimeve, e ndërprerë nga deputetë të opozitës. Pas leximit të rendit të ditës, deputetë të opozitës ndezën tymuese në sallë.
Më pas, Nikolla kaloi në votim rendin e ditës në bazë të rregullores së Kuvendit.
“Ç’keni pse nuk i doni të flasim për rritjen e rrogave. Rritja e pagave për 30 mijë mësues. Tekstet falas për 231 mijë nxënës. Mbështetje financiare për 50 mijë studentë. Ju bëj thirrje të nderuar kolegë, me ftesën për të vijuar diskutimet mbi buxhetin siç qytetarët e meritojnë”, u shpreh Nikolla.
Më pas, Nikolla përjashtoi deputetin Flamur Noka nga seanca për ndezjen e tymueseve.
“Po ju zonja deputete pse nuk doni të diskutojmë për mbi 8 mijë gra kryefamiljare që përfitojnë mbështetje financiare dhe që kanë 3 fëmijë e më shumë në moshën 18 vjeç”, tha Nikolla.
Përpara nisjes së seancës plenare, kryetari i grupimit të Rithemelimit të Partisë Demokratike, Sali Berisha paralajmëroi bllokimin, shkruan ATSh.