Partia Demokratike e Kosovës do të jetë fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit, thotë anëtari i kryesisë së kësaj partie, Xhavit Haliti. Sipas tij, fushata elektorale e PDK-së po mirëpritet mirë nga qytetarët, derisa nënvizon se partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje nuk do të jetë më në qeveri.
Ai në një intervistë për KosovaPress flet edhe për raportet me ShBA-në nën administratën Trump, dialogun Kosovë-Serbi si dhe dhënien e dëshmisë në Bruksel në lidhje me vrasjen e veprimtarit të shquar të çështjes kombëtare, Enver Hadri.
Sipas Halitit, partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje nuk mund t’i merr më shumë sesa 200 mijë vota, përkundër pretendimeve të tyre se mund të arrijnë 500 mijë sosh.
“Nëse ai arrin tek 200 mijë është mirë, por unë nuk besoj se ai arrin edhe tek 200 mijë. Afër pesë vjet sa ka qenë në pushtet, të arriturat e tij janë larg nga premtimet elektorale, e jo më në krahasim me të kaluarën. Pasi për një gjë të tillë nuk krahasohet me investimet publike në infrastrukturë, shkolla, zhvillim që kanë bërë qeveritë e kaluara në krye me PDK-në. Premtimet e tij kanë qenë shumë më të mëdha dhe e vërteta është se ky ka rënë në moçalin e bretkosave. Po besoj shumë se Albin Kurti nuk do të jetë kryeministër së pari dhe së dyti Lëvizja Vetëvendosje nuk do të jetë në qeveri”, deklaron Haliti.Trump është betuar si president me 21 janar, pasi fitoi zgjedhjet në ShBA në nëntor të vitit të kaluar.
“Ne duhet t’iu përshtatemi administratës Trump, jo administrata Trump me na u përshtatur neve. Qeveria e ardhshme do të duhej patjetër që të bëjë projektin e duhur që në harmoni me qëndrimet që ka administrata e zotëri Trump dhe nevojat që ka Kosova për t’i trajtuar çështjet në dakordësi të plotë me njëri-tjetrin. Ai është konkret dhe s’ka kohë me prit dhe me luajtur politikanët e vendet të vogla me interesat amerikane”, thotë ai.
“Qeveria e ka obligim me ia dorëzuar Gjykatës Kushtetuese. Nëse Gjykata Kushtetuese konstaton që ka shkelje të kushtetutës atëherë duhet te mos miratohet në Kuvend. Nëse statuti i propozuar është në përputhje me rregullat euro-atlantike...Sipas rregullave evropiane duhet të miratohet nëse s’ka shkelje”, nënvizon Haliti.
“Ne kemi pasur tri sulme që i ka bërë atëherë shërbimet speciale të UDB-së. Sulmi i parë ka qenë kundër Xhafer Shatrit që ia kanë gjuajtur bombën, mua më kanë minuar shtëpinë dhe e kanë vra Enver Hadrin. Në të njëjtën kohë propaganda është bërë që emigracioni shqiptarë janë vra mes veti dhe pasi kanë probleme. Mirëpo kjo nuk ka qenë i vërtet. Po ashtu, u nxorën edhe disa çështje që unë nuk kam qenë i informuar që eksplozivi i vendosur ka qenë i Belgjikës dhe detaje sesi e kanë vendosur te shtëpia ime, kush ka qenë ata, si janë zbuluar. A janë dënuar, cilat kanë qenë raportet tona mes LPK-së dhe atij komunitetit që ka përfaqësuar Enver Hadri”, përfundon Haliti.
Gjykata Penale në Bruksel ka shpallur të mërkurën sërish dënimin me burgim të përjetshëm për Veselin Vukotiqin dhe Andrija Drashkoviqin, të cilët akuzohen për vrasjen e aktivistit kosovar për të drejtat e njeriut, Enver Hadri. Hadri u vra në Bruksel para 35 vjetësh.