Zinedine Zidane pritet të rikthehet në stol pas pesë vitesh larg futbollit, pasi ka arritur një marrëveshje verbale për të marrë drejtimin e ekipit kombëtar të Francës pas përfundimit të Kupës së Botës 2026.
Sipas gazetarit Fabrizio Romano, ish-trajneri i Real Madrid do të nisë punën përpara ciklit kualifikues të Euro 2028, megjithëse ende nuk është firmosur një kontratë zyrtare. 53-vjeçari ka qenë pa skuadër që nga largimi nga madrilenët në vitin 2021, pas mandatit të tij të dytë në “Santiago Bernabeu”.
Në janar 2025, Deschamps njoftoi se do të largohet pas Botërorit 2026 në Amerikën e Veriut, duke i hapur rrugë Zidane.
“Pa asnjë dyshim do të rikthehem si trajner. Një nga objektivat e mi është të drejtoj kombëtaren franceze. Do të shohim,” ishte shprehur më herët Zidane, duke lënë të kuptohet se rikthimi i tij ishte vetëm çështje kohe.