Zhgënjimi i aleatëve ndërkombëtarë për targat shihet si shqetësues
Lexohet për: 5 min.
targat-1
2 vite më parë
Linku u kopjua

Zhgënjimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian për modifikimin e vendimit të Qeverisë së Kosovës për targat ilegale, po shihet me këndvështrime të ndryshme në Kosovë.

Në Lidhjen Demokratike të Kosovës shihet me shqetësim qëndrimi i aleatëve ndërkombëtar ndaj Kosovës, pas vendimit të ri për konvertimin e targave ilegale në RKS. Sipas tyre, i njëjti është edhe i pabazuar dhe arsyetuar mirë. Por, njohësit e procesit të dialogut, vendimin e shohin si një zgjidhje që iu përshtat më shumë kërkesave ndërkombëtare.

Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Shqipe Mjekiqi, thotë për KosovaPress se Qeveria e Kosovës edhe nuk u koordinua me aleatët ndërkombëtar për targat ilegale, mirëpo edhe u tërhoq nga vendimi për largimin e tyre nga data 1 nëntor.

“Kishte zhgënjime dhe shqetësime në mënyrën si qeveria ka vepruar sa i përket çështjes së targave, sidomos në kuptimin se nuk kishte koordinim as me ShBA-në dhe BE-në. Ne si LDK kemi deklaruar se çdo veprim sa i përket çështjes së targave, por edhe veprimeve të tjera që lidhen me procesin e dialogut duhet të bëhen ngushtë në koordinimi me aleatët tanë”, thotë ajo.

Mirëpo, hulumtuesi në Grupin për Studime Juridike dhe Politike, Arbër Fetahu, thotë për KosovaPress se ekzekutivi gjeti një zgjidhje të ndërmjetme për targat, që shkoi më shumë kah kërkesat e partnerëve ndërkombëtarë, sesa vendimi që ata kishin thënë se do të marrin.

Zhgënjimin ndërkombëtar pas këtij vendimi, Fetahu e sheh si më shumë si kërkesë karshi vendit që mos të shkohet jashtë kornizës së si ata i shohin politikat në Ballkanin Perëndimor dhe Kosovë.

“Qeveria e Kosovës gjeti një zgjidhje të ndërmjetme që nuk shkoi komplet në funksion të kërkesave të partnerëve ndërkombëtar, megjithatë shkoi më shumë kah kërkesat e tyre sesa vendimi që ata thanë se do të marrin. Prapë kemi një zhvendosje të Qeverisë së Kosovës të pozicionit që është më shumë ka kërkesat e partnerëve ndërkombëtar në funksion të stabilitetit dhe ruajtjes së sigurisë së paqes në Kosovë dhe Ballkan sesa nga vendimi i saj. Ndoshta ky zhgënjimi në diskursin publik që vjen nga partnerët ndërkombëtar është se normalisht ata dëshirojnë që për shkak të interesave të tyre gjeopolitike të kenë më shumë stabilitet dhe përputhshmërinë me qeveritë e vendeve të Ballkanit Perëndimor që mos të dalin jashtë kornizave se si ata i shohin zhvillimet. Por ndonjë herë e kemi pa edhe përgjatë historisë politike të Kosovës, por edhe vendeve të tjera se ka momente që mund të kenë ndonjë lloj përplasje ose mospajtimi. Por është e rëndësishme që mos të ketë mospajtim të thellë në kuptimin e parimeve që mban Qeveria e Kosovës dhe të kemi një kundërshtim që assesi asnjë nga partnerët ndërkombëtarë të mos përkrahin një veprim”, thekson Fetahu.

Nga ana tjetër, nënkryetarja e LDK-së shkallëzimin e vendimit për targat ilegale e konsideron të pabazuar dhe arsyetuar mirë.

“Qeveria e Kosovës jo vetëm që nuk ishte në koordinim me aleatët ndërkombëtarë, por gjithashtu ndërmori disa veprime të cilat nuk qojnë në zbatim edhe të vendimeve të veta... Pati tërheqje sepse vendimi fillimisht ishte që deri më 31 tetor të fillojë të zbatohet politika sa i përket targave, ndërsa kërkesat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe BE-së ishin që të shtyhet ky afat. Sidomos kur kemi të bëjmë me procesin në zbatimin në praktik të kësaj çështjeje. Ajo çfarë shohim ishte që Qeveria mori disa hapa për të dalë me një propozim, i cili nuk është arsyetuar, nuk është i bazuar mirë dhe nuk ishte në koordinim me aleatët tanë. Qeveria edhe lëvizi nga vendimi i vet, për të cilin nuk kishte presion prej opozitës dhe LDK-ja, prandaj nuk e kuptojmë këtë veprim”, shton ajo.

Qeveria e Kosovës, javën e kaluar mori vendim për shkallëzim të vendimit për targat ilegale. Ekzekutivi përmes modifikimeve zgjati vendimin deri në muajin prill të vitit të ardhshëm për konvertimin e plotë të targave ilegale në RKS.

Sipas tyre, prej datës 1 nëntor deri më 21 nëntor do të jetë faza e qortimit karshi gjithë poseduesve të targave ilegale, ndërsa pas kësaj date do të jetë faza e gjobitjes deri në 150 euro.

Pas këtij vendimi, Shtete e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian shprehën zhgënjimin e tyre me të njëjtin.  Në Bashkimin Evropian të hënën shprehën mbështetjen për largimin e plotë të targave ilegale nga Kosova, por thanë së duhet të bëhen gradualisht dhe vetëm në kuadër të dialogut.

SHBA dhe BE-ja kanë kërkuar që vendimi për targat ilegale të shtyhet për dhjetë muaj.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024