“Zhbërja e Speciales mision i pamundur”
Tema
Lexohet për: 4 min.
gjykata-speciale
1 muaj më parë
Linku u kopjua

Mision i pamundur dhe jashtë çdo imagjinate po konsiderohet ideja për zhbërjen e Gjykatës Speciale nga administrata e re amerikane. Me rikthimin Donald Trump si president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është ngritur pyetja nëse Gjykata Speciale do të mund të ndërpriste punën e saj, kjo bazuar në disa deklarata të njerëzve të afërt me Trump, të cilët kanë atakuar gjykatën.

Ish-i dërguari amerikan për dialogun në mes Beogradit dhe Prishtinës, Richard Grenell kishte kritikuar Gjykatën Speciale, e cila sipas tij, përdor “akuza të sajuara nga Jack Smith kundër krerëve të UÇK-së.

Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj për KosovaPress, thotë se për ndërprerjen e punës së Gjykatës Speciale mund të vendosin institucionet e Kosovës në koordinim me Këshillin Evropian.

Sipas tij, një mekanizëm i tillë nuk mund të shfuqizohet për shkak të një personi të fuqishëm në administratën e re amerikane.  

“Shfuqizimi i Gjykatës Speciale pothuajse është mision i pamundur...Vendimi për shfuqizimin e Gjykatës Speciale në radhë të parë është vendim i institucioneve të Republikës së Kosovës, por gjithmonë në bashkëpunim shtetet e Këshillit të BE-së, me Këshillin Evropian sepse Gjykata Speciale është si derivat i një rezolute të miratuar në Këshillin e Evropës. Në këtë drejtim thuajse është e pamundur dhe nuk ka as logjik dhe as sens juridik që shtetet perëndimore me demokracitë më të zhvilluara të bëjnë kalkulime të tilla për të mbyllur një mekanizëm siç është Gjykata Speciale vetëm për shkak se një këshilltar apo një person i fuqishëm në administratën e re amerikane mund ta dojë këtë“, theksoi ai.

Njohësi i aspekteve ligjore, Ehat Miftaraj konsideron se personat që janë duke u gjykuar në Hagë, nuk mund të lirohen si rezultat i vendimeve politike.

Zhbërjen e Speciales të pamundur e sheh edhe drejtori i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, Bekim Blakaj.

“Është e pamundur që administrata e Shteteve të Bashkuara të Amerikës apo Shtëpia e Bardhë apo kushdo tjetër mund t’i shpërbëjë Dhomat e Specializuara apo të ndikoj që të lirohen pa përfunduar procesi për të pandehurit. Në bazë të ligjit të Dhomave të Specializuara, është e qartë që Dhomat e Specializuara do t’i mbyllin dyert, respektivisht do ta kryej punën e vetë në momentin kur Këshilli i Evropës i informon autoritetet kosovare, Kuvendin e Kosovës që puna e Dhomave të Specializuar ka përfunduar. Kjo është e vetmja mënyrë për të mbyllur Dhomat e Specializuara ..nuk shoh ndonjë mënyrë që mund të ndodh përfundimi i Dhomave të Specializuara apo kryerja e një procesi me ndikim politik”, theksoi Blakaj.

Blakaj thekson se mbyllja e Gjykatës Speciale në këtë fazë nuk është e favorshme as për personat që gjykohen në kjo gjykatë.

E në fillim të kësaj jave në një konferencë online për medie, kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, Ekaterina Trendafilova, foli për mundësinë e administratës së re e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për përfshirje në punën e Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Bazuar në atë që Shtetet e Bashkuara janë një nga vendet që promovojnë sundimin e ligjit, Trendafilova nuk mendon se Amerika do të përfshihet në ndonjë gjë që lidhet me punën e Gjykatës Speciale.

Dhomat e Specializuara në Hagë janë themeluar në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës dhe janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës.

Më 3 prill të vitit 2023, ka nisur gjyqi ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve, Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli, dhe ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Rexhep Selimi, në Dhomat e Specializuara në Hagë.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024