Në Shtëpinë e Bardhë ka nisur takimi mes Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, Presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky dhe një numri liderësh evropianë.
Ata do të diskutojnë mes tyre rrugët dhe alternativat për përfundimin e luftës në Ukrainë dhe sigurimin e një paqeje të qëndrueshme.
Axhenda dhe pjesëmarrësit e takimit
Sipas agjendës zyrtare të publikuar nga Shtëpia e Bardhë, takimi ka nisur në mesditë sipas orës lokale (17:00 BST), me mbërritjen e liderëve evropianë.
Pjesëmarrësit përfshijnë një grup të rëndësishëm udhëheqësish evropianë, si:
Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer
Kancelari gjerman, Friedrich Merz
Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen
Takimi zhvillohet në një moment kritik për Ukrainën dhe Evropën, pas samitit Trump-Putin në Alaska për të arritur një marrëveshje paqeje.
Liderët evropianë dhe Zelensky ndodhen në Uashington me një qëndrim të unifikuar, duke refuzuar çdo marrëveshje që cenon integritetin territorial të Ukrainës dhe duke këmbëngulur për garanci të forta sigurie për Kievin.
Në një postim në Telegram, ai theksoi se “të gjithë ndajmë një dëshirë të përbashkët: ta përfundojmë këtë luftë shpejt dhe në mënyrë të besueshme. Paqja duhet të jetë e qëndrueshme – jo si ajo e viteve të kaluara, kur Ukraina u detyrua të lëshonte Krimenë dhe një pjesë të Donbasit.”
Ai rikujtoi dështimin e Memorandumit të Budapestit të vitit 1994, kur Ukraina hoqi dorë nga armët bërthamore në këmbim të garancive të sigurisë, të cilat nuk u respektuan. Evropa, nga ana tjetër, ka përcaktuar tre parime bazë për takimin: Garanci të detyrueshme sigurie për Ukrainën, të ngjashme me mbrojtjen kolektive të Nenit 5 të NATO-s; Refuzim kategorik i çdo marrëveshjeje që përfshin lëshime territoriale nga Ukraina; Vazhdimi i mbështetjes ushtarake, ekonomike dhe politike për Kievin për aq kohë sa të jetë e nevojshme.
Ky takim vjen pas atij që u zhvillua në fillim të këtij viti në zyrën Ovale, takim i cili u cilësua si “katastrofik” për shkak të përplasjeve mbi mbështetjen amerikane për Ukrainën.
Sipas raporteve, Trump ka kërcënuar me tërheqjen e mbështetjes ushtarake për Kievin, ndërsa Zelensky ka insistuar për garanci sigurie dhe ka refuzuar çdo lëshim territorial, veçanërisht për rajonet e Donetskut, Luhanskut, Khersonit, Zaporizhzhias dhe Krimesë, të cilat Rusia i pretendon, shkruan RTSH.
Liderët evropianë, përfshirë Macron dhe von der Leyen, kanë theksuar se “e ardhmja e Ukrainës nuk mund të vendoset pa ukrainasit”. Për këtë arsye, ata kanë insistuar për një format trepalësh që përfshin Kievin, Uashingtonin dhe Moskën.
Nga ana e tij, Trump është shprehur entuziast për takimin, duke e cilësuar si një “nder të madh” për të pritur “kaq shumë udhëheqës të shkëlqyer evropianë” dhe ka sugjeruar se po bëhet “progres i madh me Rusinë.”
Komuniteti ndërkombëtar po ndjek me vëmendje takimin, i cili shihe si një moment vendimtar për të ardhmen e luftës në Ukrainë dhe stabilitetin në Evropë.
Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, ka deklaruar se nëse nuk arrihet një armëpushim, BE-ja dhe SHBA-ja duhet të rrisin presionin mbi Rusinë përmes sanksioneve dhe mbështetjes së shtuar për Ukrainën. Nga ana tjetër, Zelensky ka theksuar nevojën për një armëpushim të menjëhershëm si hap i parë drejt negociatave, duke shtuar se Kushtetuta e Ukrainës ndalon çdo lëshim territorial. Ai ka paralajmëruar se çdo marrëveshje që injoron sovranitetin e Ukrainës do të jetë e papranueshme.
Takimi pritet të përcaktojë tonin për negociatat e ardhshme, përfshirë një samit të mundshëm trepalësh mes Trumpit, Zelensky-t dhe Putinit, të planifikuar potencialisht për të premten e ardhshme.