Kandidati i opozitës shqiptare për president në Maqedoninë e Veriut, Arben Taravari thotë se krahas votave të elektoratit shqiptar pret mbështetjen edhe nga komunitetet e tjera etnike dhe se mundësitë për të kaluar në balotazh janë reale.
“Unë besoj fuqishëm se mund të kalojmë në raundin e dytë sidomos nëse nuk do të kishte kandidat edhe prej partisë tjetër shqiptare, BDI-së. Unë mendoj se kandidati shqiptar mund të shkojë në raundin e dytë, por edhe në këtë garë jam shumë optimist, duke marrë parasysh mbledhjen e nënshkrimeve që e bëmë, për gati 36 orë u mblodhën 10 mijë nënshkrime. Unë e bazoj këtë edhe në zgjedhjen time në postin e kryetarit të komunës së Gostivarit, për të cilën mora përkrahjen e të gjitha komuniteteve, sidomos të shqiptarëve, por edhe të votuesve maqedonas”, ka thënë Taravari në një intervistë për Zërin e Amerikës.
“Gjërat kryesore të cilat për të cilat do të flasim janë hapja e Kushtetutës dhe unë mendoj se burim i krizës në Maqedoni është Kushtetuta, e cila u votua në fillim të viteve të ‘90 vetëm me mbështetjen e votuesve maqedonas, po gjithashtu ta shfrytëzojmë rastin të heqim përdorimin e “20%” prej gjuhës shqipe; pastaj zgjedhjen e presidentit. Do të kërkoj që ta zgjedhim presidentin në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, por edhe ndryshimin e gjithë Kushtetutës. Pse të mos e mendojmë Kushtetutën e vitit 1974 kur kishte decentralizim të mirëfilltë në Republikën Socialiste të Maqedonisë, ku gjuhë zyrtare kanë qenë ajo maqedonase, shqipe dhe turke dhe askush nuk ishte bërë pengesë”, ka thënë ai.
Taravari ka folur edhe rreth vendimit për t’u larguar nga pushteti duke u bashkuar me opozitën shqiptare, ndërkohë që sondazhet sërish e nxjerrin BDI-në në epërsi te blloku politik shqiptar.
Taravari ka komentuar edhe zhvillimet në Aleancën për Shqiptarët, pasi ai u shkarkua nga kreu i partisë.
“Këtu ka një gabim. Është e vërtet se kongresi i tyre, i cili është jo legjitim më ka shkarkuar mua, kurse ne nuk e kemi shkarkuar Ziadin Selën, vetëm e kemi kthyer statutin e 27 marsit 2022 kur u zgjodh Sela për së dyti për kryetar partie. Vetëm atë status e kemi fuqizuar ku nuk ka Kryetar Kuvendi të partisë. Kështu që unë nuk dua t’i hy këtij debati se kishte një fraksion brenda ASH-së që mendonte se ne duhet të jemi bashkë me BDI-në, kryesisht funksionarë të ASH-së derisa ishim në qeveri. Ne do të respektojmë çdo vendim gjykate për këtë çështje”, ka thënë Taravari.