Zgjedhjet komunale në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan, të parapara të mbahen me datë 18 dhe 25 dhjetor, janë shtyrë për 23 prill të vitit të ardhshëm. Kjo është bërë e ditur nga presidentja e Vjosa Osmani pas konsultimit me partitë politike pasditen e sotme.
Osmani tha se shtyrja e zgjedhjeve ishte e nevojshme pasi rrezikohej legjitimeti i tyre pasi asnjë prej organizatave vendore e ndërkombëtare nuk është paraqitur për t’i vëzhguar ato.
Presidentja Osmani deklaroi se kishte dakordancë të plotë mes përfaqësuesve të partive politike që zgjedhjet të mbahen në muajin prill të vitit të ardhshëm.
Ajo tha se Policia e Kosovës ka kapacitete për të siguruar zgjedhjet por u shpreh se bandat kriminale në veri kanë arritur të frikësojnë qytetarët dhe për pasojë edhe pjesëmarrja do të ishte e ulët.
“Të gjithë përfaqësuesit e partive politike treguan përgjegjshmëri të lartë në raport me atë që është më e shenjta dhe më e rëndësishmja në vendin tonë, e që është jeta e qytetarëve tanë, që duhet të sigurohet e të mbrohet me çdo kusht, përkundër faktit që Policia e Kosovës ka kapacitete të nevojshme, mos të harrojmë që aktivitetet e bandave kriminale në veri kanë arritur që të frikësojnë qytetarët tanë deri në masën ata të mos ndihen të lirë që të marrin pjesë në zgjedhje, prandaj edhe pjesëmarrja do të mund të ishte jashtëzakonisht e ulët për shkak të frikës nga tensionet dhe nga sulmet”, vijoi Osmani.
Kryetarja e shtetit u shpreh e shtyrja e zgjedhjeve ishte e nevojshme në mënyrë që të njëjtat të vlerësohen si të lira e demokratike.
Osmani përmendi shtyrjen e zgjedhjeve lokale më 2020 dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese duke thënë nuk konsiderohet shkelje e të drejtave të njeriut përderisa shtyrja e zgjedhjeve nuk është me afat të pacaktuar.
Po ashtu, ajo tha se edhe Komisioni i Venecias ka bërë një sërë vlerësimesh deri kur do të mund të shtyheshin zgjedhjet dhe Venecia, sipas Osmanit, i quan legjitime shtyrjen e zgjedhjeve kur ato bëhen për çështje të sigurisë, çështje të shëndetit publik, për shkak të mungesës së vëzhgimit ndërkombëtarë apo mungesës së kandidatëve të mjaftueshëm në garë.