Në zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut deri në orën 13:00 kanë votuar 229 mijë e 803 votues apo 26.35 për qind e qytetarëve, ka njoftuar Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ). Në konferencën e radhës, kryetari i KSHZ-së, Aleksandar Dashtevski, tha se procesi zgjedhor po shkon në rregull, përkundër disa ngecjeve të vogla teknike.
Qytetarët e Maqedonisë së Veriut sot vendosin në raundin e parë për presidentin e tyre të ardhshëm. Këto janë zgjedhjet e shtatë presidenciale, ndërsa raundi i dytë i mundshëm mbahet së bashku me zgjedhjet parlamentare më 8 maj. Vendvotimet janë hapur në orën 7:00 dhe do të mbyllen në orën 19:00. Votohet në 3480 vendvotime në tërë Maqedoninë e Veriut. Ndërsa, numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar është 1.814.317. VMRO DPMNE-ja opozitare në zgjedhje do të garojë me deputetët aktuale Gordana Siljanovska-Davkovën. Lidhja Social Demokrate në pushtet do të garojë me presidentin aktual, Stevo Pendarovski. Në garën zgjedhore, Bashkimi Demokratik për Integrim do të garojë me ministrin e Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, ndërsa opozita e bashkuar shqiptare me Arben Taravarin, kryetarin aktual të Gostivarit. Pjesë e garës zgjedhore janë edhe Maksim Dimitrievski, kryetari i Kumanovës, Stevçe Jakimovski, kryetari i Karposhit në Shkup dhe Biljana Vankovska, kandidate e partisë “E Majta”./E.Zeqiri/