Mungesa e entuziazmit dhe pjesëmarrja e ulët në votime i përcollën zgjedhjet për Parlamentin Evropian prej vitesh, dhe frika se e njëjta gjë do të përsëritet, është e pranishme edhe përpara votimeve që do të mbahen këtë javë.
Për pjesëmarrjen e ulët, përkatësisht nevojën që në procese zgjedhore të përfshihen edhe ata që do të krijojnë të ardhmen e kontinentit evropian, paralajmëroi më herët edhe Konferenca për të Ardhmen e Evropës - një nismë kjo e Komisionit Evropian dhe Parlamentit Evropian, që për synim ka të vlerësojë të ardhmen afatmesme dhe afatgjate të BE-së, si dhe reformat që duhet t’i zbatojnë institucionet e saj.
Sipas të dhënave të Zyrës së Statistikave të BE-së, Eurostat, popullsia e BE-së më 1 janar, 2023, numëronte 448.8 milionë banorë, dhe më shumë se një e pesta e tyre, pra 21.3%, ishin mbi 65 vjeç.
Po në atë periudhë, mosha mesatare e popullsisë së BE-së arriti në 44.5 vjeç. Sipas Eurostat-it, kjo do të thotë se gjysma e popullsisë së BE-së është më e vjetër se 44.5 vjeç.
Me këtë fenomen, BE-ja ka gjasa të përballet edhe në zgjedhjet që do të mbahen mes 6 dhe 9 qershorit të këtij viti.
Si u votua deri më tash?
Rritja e vetme deri më tani u shënua në zgjedhjet e vitit 2019, kur pjesëmarrja arriti në 50.6% - pra 8% më shumë.
Analizat treguan se kjo rritje ishte kryesisht rezultat i pjesëmarrjes më të madhe të të rinjve.
Kjo është arsyeja edhe përse u imponua nevoja për uljen e moshës për pjesëmarrje aktive në politikë, ndonëse jo të gjitha shtetet anëtare janë të gatshme të marrin masa konkrete për të mundësuar pjesëmarrjen e të rinjve.
Janë vetëm 5 nga 27 shtetet anëtare të BE-së që i lejuan qytetarët e tyre nën moshën 18-vjeçare të votojnë. Belgjika, Gjermania, Malta dhe Austria e ulën pragun e moshës në 16 vjeç, ndërsa Greqia në 17 vjeç.
Numri më i madh i votuesve që do të votojnë për herë të parë, pritet në Belgjikë, Francë dhe Gjermani - me 9.7%, 8.0% dhe 7.9% të të gjithë votuesve me të drejtë vote - pra, pikërisht në vendet që e ulën pragun për të drejtën e votës.
Instituti i politikave i Parlamentit Evropian thekson se ulja e moshës së votimit është një mënyrë për të rritur pjesëmarrjen e të rinjve në zgjedhje.
“Disa argumentojnë, gjithashtu, se kufiri më i lartë i moshës për kandidim, mund të jetë pengesa kryesore për pjesëmarrjen e të rinjve. Demokracia evropiane është shumë më tepër sesa thjesht votimi - është gjithashtu angazhim qytetar dhe pjesëmarrje në procese demokratike. Me kalimin e viteve, duket se pjesëmarrja politike ka evoluar, veçanërisht te të rinjtë”, thotë Instituti i politikave i Parlamentit Evropian.
Rëndësia e pjesëmarrjes së votuesve të rinj
Gjermania ka një numër veçanërisht të lartë të votuesve për herë të parë - më shumë se 5 milionë.
Luise Quaritsch, nga Qendra Jaques Delor në Berlin, vlerëson se nuk ka gjasa që vota e të rinjve t’i ndryshojë ndjeshëm rezultatet e përgjithshme të zgjedhjeve.
Megjithatë, ajo shton se pikërisht mospjesëmarrja e të rinjve do të ndikonte në parandalimin e një skenari të pritur, përkatësisht rritjen e rrymave ekstreme në përbërjen e re të Parlamentit Evropian.
Partitë e tilla, sipas saj, dinë se si të depërtojnë te brezat e rinj.
Ajo është e mendimit se edhe vendet e tjera anëtare të BE-së duhet ta ndjekin shembullin e pesë vendeve të bllokut dhe ta ulin moshën e votimit.
Sipas saj, kjo do të ndikonte që në të ardhmen të kishte pjesëmarrje më të lartë të votuesve të rinj.
Vetëm 6% e përfaqësuesve evropianë janë nën 35 vjeç
Sipas Forumit Rinor Evropian, i cili mblodhi të dhëna publike, të rinjtë janë grup-mosha më e papërfaqësuar në Parlamentin Evropian.
Në anën tjetër, një në pesë evropianë është midis 51 dhe 65 vjeç, por numri i deputetëve që përfaqësojnë këtë grup-moshë në Parlamentin Evropian, është dy herë më i lartë, përkatësisht 42 për qind.
Përse janë të rëndësishme zgjedhjet evropiane?
Ato përfaqësojnë një moment kyç për demokracinë e BE-së, pasi u japin qytetarëve të drejtën për të zgjedhur drejtimin politik të BE-së.
Zgjedhjet zhvillohen për anëtarët e Parlamentit Evropian, që janë të vetmit përfaqësues të zgjedhur drejtpërdrejt nga qytetarët.
Ata i emërojnë krerët e vendeve anëtare të BE-së, por drejtuesit e institucioneve do të jenë nga partitë që marrin më shumë vota në zgjedhjet evropiane.
Me narrativën e Brukselit, ky vit quhet “superzgjedhor”.
Viti 2024 është vit zgjedhor edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, gjë që është po ashtu e rëndësishme për marrëdhëniet transatlantike./REL/