Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës shpreh shqetësimin e thellë dhe kundërshtimin e prerë ndaj zgjedhjes jo legjitime të kryetarit të ri të Këshillit të Pavarur të Mediave, një veprim që sipas kësaj partie “shënon një tentativë të hapur të regjimit Albin Kurti për të kapur institucionet e pavarura të mediave”.
Kjo lëvizje e orkestruar përfaqëson një sulm të drejtpërdrejtë ndaj lirisë së medias dhe pluralizmit të informacionit në Kosovë. Ndërhyrja kaq e ashpër e pushtetit në një institucion të pavarur, pikërisht në vlugun e fushatës elektorale, s'ka si të kuptohet ndryshe përpos si përpjekje për kontroll të mediave për qëllime elektorale, thuhet në reagim.
“Liria e mediave është themeli i demokracisë sonë dhe nuk do të lejojmë që ajo të bëhet pre e ambicieve autokratike të regjimit aktual”, thekson AAK.
AAK paralajmëron se do të përdorë të gjitha mekanizmat institucionalë dhe ligjorë për të kundërshtuar këtë vendim të paligjshëm dhe për të mbrojtur pavarësinë e mediave në Kosovë.Këshilltarja ligjore në Qendrën Evropiane për Liri të Shtypit dhe Medias Flutura Kusari, e quajti kompletim të kapjes së KPM-së emërimin e Berishës, ndërsa AGK-ja shprehu shqetësim me procesin e zgjedhjes së tij.
Anëtarët e KPM-së emërohen nga Kuvendi i Kosovës, ndërsa kryetari dhe nënkryetari zgjidhen me votat e fshehta të anëtarëve të KPM-së.
Paragrafi i parë i nenit 3 të rregullores së KPM-së parasheh që kryetari zgjidhet në mbledhjen e parë pas mungesës së tij, përfundimi i mandatit, shkarkimi, me shumicën e thjeshtë të votave nëse në mbledhje janë të pranishëm të paktën dy të tretat e anëtarëve.