“Zemër ke dështu” është mesazhi i të rinjve të Lidhjes Demokratike të Kosovës drejtuar kryeministrit Albin Kurti, me rastin e 3-vjetorit të fitores së Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e 14 shkurtit të vitit 2021.
Përmes një aksioni simbolik para objektit të Qeverisë, forumi rinor i LDK-së ka shprehur pakënaqësitë me Qeverinë Kurti.
Këta të rinj kanë shpërndarë fletushka në formë të zemrës për qytetarët, në të cilat shkruhet “Me zemrën në darkë, për zemër jashtë vendit”, “Zemra të mban gjallë, por t’lëshon kur të vjen fatura”, “Zemrën plot, kuletën thatë”.
Kryesuesi i këtij forumi, Paris Guri, tha se edhe në vitin e saj të katërt, kjo qeveri po vazhdon të dështojë në shumë segmente, si në arsim, shëndetësi, ekonomi dhe shumë sfera të tjera.
Guri u shpreh se pothuaj secili qytetar i Kosovës është duke u përballur me depresion. Sipas tij, jeta e qytetarëve po bëhet e papërballueshme me shtrenjtimin e produkteve bazike, shtrenjtimin e energjisë elektrike po bëjnë që të rinjtë të lëshojnë vendin.
Ai u shpreh se janë aty për t’ia kujtuar Qeverisë së Kosovës se dashuria për vendin duhet të jetë më e madhe se gjithçka tjetër.