Zemaj thotë se Kurti do të duhej të merr masa ndaj ministrit Vitia, ky i fundit jep një zotim
Lexohet për: 3 min.
komisioni per shendetesi 2024
5 muaj më parë
Linku u kopjua

Pa rregullsitë në listën e çmimeve të barnave, pranimi i çmimeve të deklaruara pa CIP (Certified Insurance Professional), depoja farmaceutike e Ministrisë së Shëndetësisë, ishin temat kryesore për të cilat u diskutua sot në Komisionin për Shëndetësi, ku ministri Arben Vitia po mbante takim me anëtarët e komisionit.

Anëtarë të komisionit nga partitë opozitare patën disa pyetje dhe kritika lidhur me listën zyrtare të çmimit të barnave, e cila u anulua para pak kohësh.

Lidhur me këto, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia u zotua se çmimet e barnave do të jenë më të ulëta sesa janë aktualisht. Ai garantoi se nuk do të ketë vend për manipulime në listën zyrtare të çmimeve.

Kështu deklaroi Vitia pasi u pyet nga deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu lidhur me çmimet e barnave, për të cilat tha se është vërejtur të ketë rritje shumëfish.

Haxhiu potencoi se sipas analizave të bëra, rezulton se ka ngritje prej 100 për qind në disa artikuj.

Përveç kësaj, Haxhiu iu drejtua ministrit Vitia duke e pyetur se si është e mundshme që të pranohen çmimet e deklaruara pa CIP. 

Certified Insurance Professional është një certifikim i njohur në fushën e sigurimeve, i cili ofrohet nga Insurance Institute of America (IIA). Ky certifikim vërteton njohuritë dhe aftësitë në industrinë e sigurimeve dhe është shpërndarë nëpër disa nivele të ndryshme, duke filluar nga themeluesi (Foundation) deri në nivelet më të avancuara.

Përveç kësaj, Haxhiu pyeti Vitinë se sa dëme janë shkaktuar nga reshtej e shiut në depon farmaceutike të MSh-së.

Ai hodhi dyshime duke pyetur ministrin se si është e mundur që prej 60 milionë eurove të dedikuara për barna nga lista esenciale, vetëm një kompani të përfitojë 20 milionë euro.

Lidhur me këto pyetje, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia tha se nuk është informuar se janë shkaktuar dëme nË depon farmaceutike nga reshjet e shiut.

Sa i përket blerjes nga lista e barnave esenciale, Vitia potencoi se procedurat e blerjes së barnave janë në vazhdimësi dhe se sipas tij, nuk mund të lihen pacientët pa barna derisa të fillojë zbatimi i ligjit.

Deputeti nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Armend Zemaj tha se pavarësisht kërkesave nuk u është dërguar lista e anëtarëve të komisionit për listën zyrtare të çmimeve të barnave. Mos dërgimi i emrave të anëtarëve të komisionit, sipas Zemajt, është për të dyshuar.

Ai tha se Vitia se ka neglizhuar procesin lidhur me Ligjin për vendosjen e tavanit të çmimeve të barnave.

Sipas Zemajt, Kurti është dashur të merr masa ndaj Vitisë për këto çështje.

Për këto, Vitia tha se të gjithë vendimet janë publike dhe se të gjithë mund të kenë qasje në listën e emrave të anëtarëve të komisionit.

Tri javë pasi e kishte shpallur, Ministria e Shëndetësisë mori vendim për anulimin e listës së çmimeve të produkteve medicinale.

Në vendimin e publikuar në uebfaqen e Ministrisë bëhet e ditur se kundër vendimit për listën ka pasur ankesa dhe disa prej pretendimeve janë konfirmuar nga Komisioni i Ankesave. Ankesat kanë pasur të bëjnë me çmimet në disa produkte.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024