Përkundër presionit të fortë nga Uashingtoni, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka refuzuar të nënshkruajë një projekt-marrëveshje që do të dorëzonte gjysmën e mineraleve të rralla të Ukrainës te kompanitë amerikane në këmbim të ndihmës ushtarake, sipas dy personave të njohur me negociatat.
"Marrëveshja nuk është nënshkruar ende. Palët janë ende duke diskutuar detajet," tha një zyrtar ukrainas i cili kërkoi të mos emërohej për shkak të ndjeshmërisë së bisedimeve.
Ai shtoi gjithashtu se plani mund të dështojë sepse mund të jetë në kundërshtim me legjislacionin ukrainas.
Kievi është përpjekur prej disa kohësh të interesojë presidentin amerikan, i njohur për qasjen e tij pragmatike, që ta shohë pasurinë minerale të Ukrainës si një arsye të fortë për mbështetjen e vazhdueshme në luftën kundër agresionit rus.Në fillim të kësaj jave, Trump tha se Ukraina duhet të sigurojë 500 miliardë dollarë nga burimet e saj minerale për të kompensuar ndihmën ushtarake dhe civile amerikane që nga fillimi i luftës. Pavarësisht gjithçka, negociatat janë ende në vazhdim dhe një marrëveshje ende nuk është arritur.
"Pala ukrainase i ka dërguar propozimin e saj palës amerikane, kështu që tani ata janë duke pritur për reagime. Ndërsa amerikanët po analizojnë propozimet e Ukrainës, ne po shqyrtojmë të tyren," shpjegoi zyrtari.
Të enjten, takimi i presidentit ukrainas me nënpresidentin amerikan JD Vance në Konferencën e Sigurisë në Munih u shty nga mëngjesi në mbrëmje, sepse ukrainasit donin të bënin ndryshime në minutën e fundit në marrëveshjen e propozuar për mineralet.
Biseda la të kuptohej, edhe pse nuk ishte thënë në mënyrë eksplicite, se Shtetet e Bashkuara do të mbronin interesat e tyre në një "sipërmarrje të përbashkët biznesi".
Sipas ligjvënësve amerikanë që u takuan me Zelensky në Munih, presidenti ukrainas theksoi se ai po studionte me kujdes propozimin e SHBA për t'u siguruar që ai ishte në përputhje me ligjet e Ukrainës.
Ai tha se do ta studionte propozimin në detaje dhe do të shihte nëse ishte në përputhje me ligjet tona, kushtetutën dhe çështje të ngjashme”.
Një nga përkrahësit kryesorë të marrëveshjes, senatori Lindsey Graham, një aleat i ngushtë i Donald Trump, tha se ai po përpiqej të bindte presidentin për rëndësinë e Ukrainës duke theksuar pasurinë e saj minerale. Madje, thotë ai, i ka treguar një hartë me vendndodhjet e gjetjeve më të vlefshme.
"Trump tani e sheh Ukrainën ndryshe... Unë i thashë: "Këta njerëz janë ulur në një minierë ari! Shikoni hartën!"
Në fillim të kësaj jave, sekretari amerikan i Thesarit Scott Bessent vizitoi Kievin dhe i prezantoi Zelenskyt një projekt-marrëveshje bashkëpunimi ekonomik, i cili përfshinte shfrytëzimin e mineraleve të rralla."Kjo marrëveshje do të jetë një sinjal i fortë për udhëheqjen ruse për angazhimin e Amerikës ndaj Ukrainës. Do të jetë gjithashtu një mesazh i qartë për popullin amerikan se paratë e investuara në Ukrainë kanë një themel konkret ekonomik, vlera të përbashkëta dhe interesa sigurie," tha Bessent.
Edhe para zgjedhjeve presidenciale në SHBA, Ukraina filloi të promovonte pasurinë e saj minerale si një bazë potenciale për bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara.
Këto burime janë thelbësore për prodhimin e baterive, sistemeve të radarëve dhe teknologjisë së armaturës, dhe në të njëjtën kohë mund të zvogëlojnë varësinë e Amerikës nga burimet kineze.
Por shumë nga këto burime ndodhen në zona nën kontrollin rus dhe Kremlini gjithashtu pretendon për to.
"Këto burime janë thelbësore për fuqinë industriale dhe ushtarake të Rusisë, sepse ato do t'i mundësonin atyre të arrijnë vetë-mjaftueshmërinë ekonomike dhe të zvogëlojnë varësinë e tyre nga furnizimet perëndimore," përfundon Repko.