Në shumë qytete gjermane sonte shpërthyen protesta kundër CDU/CSU për shkak të politikës së tyre kundër migracionit dhe bashkëpunimit me AFD në Bundestag.
Rreth pesë mijë protestues janë mbledhur në Leipzig, nën sloganin “Të ndalim Merz dhe AfD - mbrojmë të drejtën e azilit”.
CDU/CSU dje bëri kërkesë në Bundestag për futjen e masave që do të ulnin migrimin e parregullt në minimum. CDU/CSU, ndër të tjera, kërkon që të gjithë ata që nuk kanë dokumente të vlefshme udhëtimi të refuzohen në kufi, dhe kjo përfshin edhe ata që duan të kërkojnë azil në Gjermani.
Kërkesa u pranua, por vetëm falë votave të AfD-së. Kreu i CDU dhe kandidati për kancelar për zgjedhjet e 23 shkurtit, Friedrich Merz me muaj kishte theksuar se ai nuk dëshironte të bashkëpunojë me AfD në asnjë rast.Në Drezden gjatë mbrëmjes u mblodhën disa qindra protestues. Në fundjavë, sindikatat, shoqatat e kishave dhe organizatat si Fridays për Future njoftuan protestë në Berlin kundër politikës së migrimit të CDU/CSU dhe afrimit të tyre me AfD-në.
Ish-kancelarja Angela Merkel sot ka kritikuar Merz me një ton jashtëzakonshëm të ashpër, pasi që i ka mundësuar AfD-së të merr vendime të përbashkëta në Bundestag me demokristianët.
Merz paralajmëroi se partive të qeverisë pakicë të Olaf Scholz do t’iu ofrojnë që të votojnë bashkërisht ligjet e propozuara, por Partia Socialdemokrate e Gjermanisë (SPD) dhe Të Gjelbrit kanë refuzuar një gjë të tillë duke thënë se propozimet bien ndesh me Kushtetutën.
Sipas rezultateve aktuale të opinionit publik, unioni CDU/CSU ka rreth 30 për qind të votave, pasuar nga AfD me rreth 20 për qind. SPD dhe mbështetja për Të Gjelbrit kanë rreth 15 për qind.