Zelensky: Jo të gjitha vendet kanë nënshkruar? Do të vijnë
Presidenti Volodomyr Zelensky ka reaguar pasi jo të gjitha vendet pjesëmarrëse të Samitit të Paqes nënshkruan sot deklaratën finale me të cilën njihet integriteti territorial i Ukrainës.
Ai ka thënë se duhet respektuar mendimi i të gjithëve, duke shtuar se ”ata do të vijnë”.
“Disa vende kanë vizionin e tyre të luftës dhe ekziston edhe trashëgimia historike e Bashkimit Sovjetik në marrëdhëniet e tij me disa vende dhe kjo duhet të merret parasysh”, ka thënë ai, raporton ANSA.
Tetëdhjetë vende botërore, në mesin e tyre edhe Kosova, kanë bërë thirrje që integriteti territorial i Ukrainës të jetë themeli i çfarëdo marrëveshjeje për paqe për t’i dhënë fund luftës së Rusisë.
Rusia e Kina nuk morën pjesë në Samitin e Paqes në Zvicër. Arabia Saudite, India, Afrika e Jugut, Tajlanda, Indonezia, Meksika dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, ishin në mesin e vendeve që nuk e nënshkruan dokumentin final, sipas qeverisë zvicerane.
Po ashtu edhe Brazili, i cili mori pjesë si vëzhgues, nuk e nënshkroi
deklaratën, ndërsa Turqia, një vend që ka kërkuar të jetë ndërmjetës mes Rusisë dhe Ukrainës, e ka nënshkruar deklaratën.