Rashiq i hapur për bashkëpunim me këdo që krijon shumicën parlamentare në Kuvend
Intervista
Lexohet për: 3 min.
Rashiq-150225
1 ditë më parë
Linku u kopjua

Kryetari i partisë serbe “Për liri, drejtësi dhe mbijetesë”, Nenad Rashiq, thotë se është i hapur për të bashkëpunuar me këdo që krijon shumicën parlamentare në Kuvendin e Kosovës.

Ai deklaron se kontakti i parë për koalicion do të jetë partia fituese e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje, por shton se s’ka asnjë kufizim edhe për partitë e tjera. Përkitazi me këtë, Rashiq, i cili është ministër aktual për Komunitete dhe Kthim, thekson se preferon më shumë një qeveri stabile që ka numra të qëndrueshëm në legjislativ.

Rashiq në një intervistë për KosovaPress, thotë se është i gatshëm të bisedojë me secilin që krijon shumicën parlamentare në Kuvend.

“Kontakt kemi pasur (me kryeministrin Kurti) por nuk kemi biseduar për këto (koalicionin) por për disa çështje më shumë teknike. Unë normalisht adresa e parë sa i përket bisedave pas numërimit të votave, do të jetë zotëri Kurti. Kjo është normale se dy-tri vitet e fundit bashkëpunoj me atë. Mirëpo s’kam asnjë kufizim me partitë të tjera, veçanti ata me të cilët unë njihem personalisht, pasi kamë 20 vjet në politikë. Unë njihem me krejt çka janë në skenën politike dhe nuk do të bëjë ndonjë limitim që të bisedojë me një parti, por përkundrazi do të bisedojë me krejt partitë të tjera”, thekson Rashiq.

Rashiq thekson se Kosovës i duhet një qeveri më stabile, e cila sipas tij, do të ketë vota të mjaftueshme në Kuvend, pasi do të ketë nevojë të merren edhe vendime të rënda për vendin.

Ai përmend dialogun me Serbinë, statutin e Asociacionit, relacionet me aleatët si çështjet primare të qeverisë së ardhshme.

Në anën tjetër, Rashiq për KosovaPress flet edhe për protestat e vazhdueshme të studentëve në Serbi, ku sipas tij, atje po ndodh një revolucion dhe është çështje muajsh fundi i presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.

“(Vuçiq) Po i vjen fundi vetëm nuk mundem me thënë se cilin muaj. Është çështje e muajve, pasi atje është duke ndodhur një revolucion i të rinjve, i cili është kaq i fuqishëm që unë nuk kam pritur të shoh një gjë të tillë. Prandaj, unë jam shumë optimist sa i përket gjendjes së serbëve në tërë territorin e ish-Jugosllavisë kudo që janë që të ndryshohet dhe normalizohet me përfundimin e karrierës politike të këtij presioni që vetveten e quan president. Ai është president rastësisht dhe shumë shpejt do t’i jepet fundi”, përfundon Rashiq.

Partia e Rashiq, bazuar në rezultatet preliminare të KQZ-së për zgjedhjet e 9 shkurtit, ka fituar 3960 vota, të cilat përkthehen në një deputet në Kuvendin e Kosovës.

Ndërkaq partia tjetër nga komuniteti serb në Kosovë, Lista Serbe ka fituar 38 mijë e 83 vota, apo nëntë deputetë në Kuvend.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025