Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenksy ka deklaruar sot se kushdo që "zgjedh rrugën e djallit e shkatërron veten" dhe se "dobësia e Rusisë është e qartë".
Edhe pse ai nuk e përmend presidentin rus, Vladimir Putin me emër, Zelensky duket se kritikon liderin rus për dërgimin e "qindra mijëra njerëzve" në luftë, shkruan BBC.
“Sa më gjatë që Rusia i mban trupat dhe mercenarët e saj në Ukrainë, "aq më shumë kaos, dhimbje dhe probleme do të ketë brenda vetes", u shpreh Zelensky.
Kreu i grupit mercenar rus, Wagner është duke u hetuar për nxitje të rebelimit, pasi ka akuzuar ushtrinë ruse për një sulm vdekjeprurës me raketa kundër trupave të tij. Yevgeny Prigozhin ka thënë se “e keqja” në udhëheqjen ushtarake duhet të ndalet dhe u zotua se “do të marshojë për drejtësi”.
Ndërsa, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin është zotuar se do t’i ndëshkojë kryengritësit, pasi grupi mercenar Wagner, ka thënë se do ta rrëzojë udhëheqësinë e ushtrisë ruse.
Zyrtarët e NATO-s, Gjermanisë, Britanisë së Madhe, Francës, Italisë kanë deklaruar sot se janë duke e monitoruar situatën në Rusi.