Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i tha Forumit Botëror Ekonomik se furnizimet perëndimore me tanke dhe sisteme të mbrojtjes ajrore duhet të arrijnë më shpejt në shtetin e tij, në mënyrë që forcat e Kievit të mund t’i kundërvihen forcave ruse.
Zelensky më 18 janar iu adresua këtij forumi, që po zhvillon punimet në Davos të Zvicrës, përmes video-lidhjes. Ai i bëri thirrje botës që të përshpejtojë dërgesat e armëve, duke thënë se Ukraina po qëndron e fortë pavarësisht luftimeve të përditshme në lindje të shtetit. Megjithatë, lideri ukrainas tha se Perëndimi e ka pranuar se “tirania po tejkalon demokracitë”.
Zelensky theksoi se ishte i kënaqur që ish-sekretari amerikan i Shtetit, Henry Kissinger, ka ndryshuar mendimin sa i përket anëtarësimit të Ukrainës në NATO.
Kissinger, që iu drejtua Forumit në Davos përmes video-lidhjes më 17 janar, tha se pushtimi rus ka treguar se nuk ka më kuptim që Ukraina të mbahet jashtë NATO-s dhe se një anëtarësim eventual i Kievit në aleancën perëndimore ushtarake do të ishte “rezultati i duhur”.
I pyetur nëse është i shqetësuar për sigurinë e tij pas rrëzimit të një helikopteri më 18 janar në afërsi të Kievit, aksident në të cilin humbën jetën ministri i Brendshëm ukrainas dhe zyrtarë të tjerë qeveritarë, Zelensky tha se nuk është i shqetësuar.
Kryetari i Kievit, Vitali Klitschko, po ashtu iu adresua Forumit në Davos. Ai tha se ka “sinjale shumë pozitive” se gjatë takimit të aleatëve perëndimorë në Gjermani më 20 janar, do të njoftohet për dërgesa të reja armësh për Ukraiën./REL