Zbuten qëndrimet e naftëtarëve, nis zbatimi i vendimit për marzhën e fitimit
Lexohet për: 3 min.
1 vit më parë
Linku u kopjua

Naftëtarët në vend po e respektojnë vendimin e fundit të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë për marzhën e fitimit, përkundër që Shoqata e naftëtarëve ka shprehur pakënaqësi për këtë vendim.

Mirëpo, kryetari i kësaj shoqate, Fadil Berjani bën të ditur se janë zbutur qëndrimet e naftëtarëve të cilët në mbledhjen e fundit ishin të tensionuar dhe kishin kërkuar protesta dhe mbyllje të pikave të karburanteve, raporton KosovaPress.

Megjithatë, Berjani paralajmëron se këtë vendim do ta dërgojnë në Gjykatën përkatëse për shqyrtim, pasi që sipas tij është i kundërligjshëm.

Se ka pasur abuzim me çmime nga ndonjë kompani, Berjani thekson se nuk ka informacione për këtë, por për këta ai shton se duhet te merret inspektorati dhe organet kompetente.

“Vendimi është duke u respektuar dhe është i plotfuqishëm. Por, në mbledhjen e kuvendit të shoqatës tonë situata ka qenë e tensionuar, ku anëtarët kanë kërkuar të protestohet dhe mbylljen e pikave të shitjes së karburanteve. Mirëpo, kemi dalë nga ajo situatë dhe kemi vendosur që me iu drejtuar gjykatës për vendim e ministrisë. Ne iu kemi drejtuar me një letër kërkesë ministres, sot presim me na e kthyer përgjigjen. Megjithatë si ta kemi përgjigjen nga ajo(ministrja Rozeta Hajdari), ne do t’i drejtohemi gjykatës… Sepse vendimi I cili është nxjerrë është në kundërshtim me ligjin dhe me udhëzimin”, thekson ai.

Me qëllim mbrojtjen e konsumatorit, mbrojtjen e konkurrencës  dhe për të mënjanuar çrregullimet në treg, Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ditë më parë ka marrë vendim për caktimin e çmimit dhe masave tjera mbrojtëse të produkteve të naftës.

Sipas këtij vendimi marzha tregtare maksimale e lejuar e shitjes me shumicë është dy (2) eurocentë për litër kurse marzha tregtare maksimale e lejuar e shitjes me pakicë është dymbëdhjetë (12) eurocentë për litër.

Berjani ka treguar se sot çmimet e derivateve janë: 1.37 eurocentë për naftë dhe 1.34 eurocentë për benzinë.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, nga monitorimi i rregullt i tregut të produkteve të naftës dhe bazuar në evidencën ditore të pranuar nga Dogana e Kosovës lidhur me çmimet e furnizimit/importit të produkteve të naftës si dhe raportin e Inspektoratit të Tregut lidhur me çmimet e shitjes me pakicë të produkteve të naftës, ka evidentuar mospërshtatje të çmimeve vendore me lëvizjet e mëdha të çmimeve në tregun botëror, çka përbën bazë/shkas për rregullimin e çmimeve dhe caktimin e masave të tjera mbrojtëse./KosovaPress/

No photo description available.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024