Në organizim të Shoqatës së të burgosurve politikë dhe Shoqërisë Lëvizja sot u bë zbulimi i pllakës përkujtimore për arsimtarin, atdhetarin, veprimtarin, një nga drejtuesit e LPK-së, luftëtarin dhe ish-komandantin e përgjithshëm të UÇK-së Azem Syla në Kishnarekë të Drenasit.
Kryetari i Komunës të Drenasit Ramiz Lladrovci, ka folur për jetën dhe veprën atdhetare të Azem Sylës, duke përkujtuar se gjatë kësaj veprimtarie dy herë ra në burgjet e ish-regjimit.
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) Ali Ahmeti kishte ardhur nga Maqedonia e Veriut për ta uruar shokun e tij të luftës Azem Sylën, për punën dhe kontributin që ai kishte dhënë gjatë përpjekjeve të popullit të Kosovës për lirinë që ne gëzojmë sot.
Kryetari i të Burgosurve Politik, Shefik Sadiku, falënderoi Azem Sylën për kontributin e madh të dhënë në çështjen kombëtare. Ndërsa Azem Syla mes lotësh dhe emocioneve falënderoi të gjithë për mbështetjen e dhënë, duke thënë se sikur të kishte edhe një mijë jetë të tjera, ai prapë do t’ia kushtonte ato lirisë./A.Zogaj.