Shkencëtarët besojnë se kanë zbuluar origjinën e Vdekjes së Zezë, një murtajë që mori dhjetëra miliona jetë më shumë se 600 vjet më parë në Evropë, Azi dhe Afrikën e Veriut.
Në mesin e shekullit të 14-të, ndodhi një katastrofë shëndetësore që konsiderohet të jetë një nga episodet më domethënëse në historinë e njerëzimit deri më sot.
Pavarësisht përparimeve të tyre në teknologji, shkencëtarët nuk kanë qenë në gjendje të përcaktojnë origjinën e kësaj sëmundjeje të rrezikshme, deri më tani. Analizat e reja tregojnë se murtaja filloi në Kirgistan në Azinë Qendrore në fillim të viteve 1330.
Një ekip shkencëtarësh nga Universiteti i Stirling në Skoci, Instituti gjerman Max Planck dhe Universiteti i Tübingen analizuan mostrat e vjetra të ADN-së nga dhëmbët e skeletit nga një varrezë pranë liqenit Issyk Kul në malet e Kirgistanit verior, shkruan BBC.
Maria Spyrou nga Universiteti i Tübingen tha se ekipi renditi ADN-në e shtatë skeleteve. Ata analizuan dhëmbët sepse përmbajnë enë gjaku, kështu që ekziston një shans i lartë për të zbuluar patogjenët e formuar në gjak që mund të kishin shkaktuar vdekjen.
Ata zbuluan Yersinia pestis, një bakter që mund të shkaktojë murtajë bubonike, në tre skelete.
Hulumtimi u botua në revistën Nature nën titullin "Burimi i murtajës së zezë në shekullin e 14-të në Euroazi".
Murtaja është një sëmundje ngjitëse potencialisht vdekjeprurëse e shkaktuar nga bakteri Yersinia pestis, i cili nga ana tjetër jeton në disa kafshë, kryesisht brejtës, si dhe në pleshtat mbi to.
Murtaja u quajt edhe Vdekja e Zezë sepse shkakton gangrenë të zezë dhe vdekje të pjesëve të trupit si gishtat.