Zbulohet baza që prodhonte drogë sintetike për adoleshentët në Durrës.
Policia e Shtetit njoftoi sot se gjatë operacionit “Shije e hidhur” në qytetin bregdetar u godit rrjeti që prodhonte dhe shpërndante drogë në formë karamelesh pranë shkollave.
Gjithashtu janë sekuestruar dhjetëra paketime me lëndë narkotike të përpunuar në formë karameleje, xhelatine në formë karameleje, përbërës të ndryshëm që shërbejnë për prodhimin e karameleve me lëndë narkotike sintetike dhe lëndë narkotike kanabis.
Policia njoftoi se “në përmbushje të një prej prioriteteve e kryesore, atë të sigurisë së jetës dhe shëndetit të nxënësve në shkolla, duke parandaluar dhe goditur fenomenet negative me fokus lëndët narkotike, bazuar dhe në informacionet siguruara në rrugë operative, nga ana e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Seksionin për Mbështetjen Operacionale të Hetimit pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, u bë i mundur finalizimi i operacionit policor të koduar “Shije e hidhur””.Në vijim të operacionit u arrestuan në flagrancë dy vëllezër, konkretisht shtetasit L. L., 20 vjeç dhe R. L, 25 vjeç, të dy lindur në Kavajë dhe banues në Tiranë.
Si dhe u bë shpallja në kërkim e shtetasit Xh. L, 20 vjeç, banues në Tiranë, ku vijon puna intensive për kapjen e tij.
Nga kontrolli i ushtruar në banesën e këtyre shtetasve në Tiranë, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, xhelatine në formë karameleje; lëndë narkotike kanabis; 550 gramë material sintetik i gatshëm për prodhimin e karameleve sintetike me lëndë narkotike; një peshore elektronike; kallëpe plastike si ato që përdoren për dhënien e formës së karameleve; si dhe përbërës të ndryshëm që shërbejnë për prodhimin e karameleve me lëndë narkotike sintetike.
Materialet hetimore procedurale do t’i referohen Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, në bashkëpunim.