Taulant Hodaj
Pse ky rast i zbulimit të informacionit të klasifikuar paraqet shkelje serioze ligjore dhe nuk është thjeshtë mbrojtje e lirisë së shprehjes dhe interesit publik? Rasti i fundit që përfshin disa gazetarë dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, ka ndezur një debat të ashpër rreth kufijve të lirisë së shprehjes dhe mbrojtjes
së sekreteve shtetërore në Kosovë. Publikimi i informacioneve të klasifikuara dhe sekreteve shtetërore gjithmonë është shqetësim serioz mbi sigurinë kombëtare, ndërkohë që vetë gazetarët pretendojnë se veprimet e tyre janë të mbrojtura nga liria e shprehjes, liria e medias dhe interesi publik.
Sipas Kodit Penal të Kosovës, veçanërisht nenit 125, zbulimi i informacionit të klasifikuar përbën një vepër penale të ndëshkueshme rëndë. Ky nen përcakton qartë se kushdo që zbulon ose nuk mbron informacionin e klasifikuar do të ndëshkohet sipas dispozitave të Ligjit për Klasifikimin e Informacioneve
dhe Verifikimin e Sigurisë. Për më tepër, neni 54 i Ligjit për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar parashikon që çdo person që zbulon informacion të klasifikuar, të nivelit “Konfidencial,” “Sekret,” apo “Tepër Sekret,” i ekspozohet pasojave të rënda ligjore, duke përfshirë dënime që variojnë nga një (1) deri
në dymbëdhjetë (12) vite burgim.
Mbrojtja e interesit publik është një përgjegjësi e rëndësishme e gazetarëve, pasi ajo forcon llogaridhënien dhe transparencën e institucioneve shtetërore. Megjithatë, kjo përgjegjësi duhet të ushtrohet brenda kufijve ligjorë që mbrojnë sigurinë kombëtare dhe të drejtat e individëve. Zbulimi i emrave të agjentëve të AKI-së, pozitat e tyre të punës, aktivitetet që bëjnë, rrezikon integritetin e
operacioneve të inteligjencës dhe sigurinë e tyre dhe të familjeve, gjë që e bën të domosdoshëm ruajtjen
e konfidencialitet të këtyre informatave ashtu si e ka paraparë ligji. Kodi Penal i Kosovës në lidhje me Ligjin për mbrojtjen e informacioneve të klasifikuara, ndër tjera e ndalon zbulimin e identitetit të agjentëve, pozitat e tyre të punë, sepse këto të dhëna janë të klasifikuara dhe për shkak të natyrës së ndjeshme të punës së tyre, në këtë rast, gazetarit apo kujtdo qoftë nuk i lejohet publikimi i këtyre të
dhënave, pavarësisht dyshimeve për shkelje të pretenduara. Nëse gazetarët posedojnë informacione për abuzime, ekzistojnë mekanizma ligjorë për raportimin e tyre pa kompromentuar sigurinë e shtetit dhe individëve.
Zbulimi i këtyre të dhënave bie ndesh me nenin 124 të Kodit Penal të Kosovës, i cili parashikon dënime të ashpra për çdokënd që ia bën të qasshme sekretet shtetërore tek publiku, shtete e huaja ose organizata që mund t’i përdorin këto të dhëna kundër interesave të shtetit të Kosovës.
Për raste të kësaj natyre kemi edhe referenca nga e kaluara. Një rast i ngjashëm kur ishte përfshirë Baton Haxhiun, i cili u dënua nga Tribunali i Hagës për zbulim të informacioneve të mbrojtura që lidhen me proceset gjyqësore ndërkombëtare. Po ashtu, rastet e Gucatit dhe Haradinajt, të cilët u dënuan nga Dhomat e Specializuara të Kosovës, tregojnë qartë se çdo zbulim i informacioneve të klasifikuara, qoftë edhe nën pretendimin e mbrojtjes së interesit publik, nuk tolerohet në asnjë shtet demokratik.
Kushtetuta e Kosovës, dispozitat e Kodit Penal të Kosovës, Ligjin për mbrojtjen e informacioneve të klasifikuara parashikojnë kufizime të qarta për lirinë e shprehjes kur kjo e drejtë bie ndesh me sigurinë kombëtare. Në rastin konkret, kufizimet ligjore janë të përcaktuara në nenet e lartcekura të Kodit Penal
dhe Ligjin për mbrojtjen e informacioneve të klasifikuara. Këto dispozita ligjore janë vendosur për të mbrojtur informacionet e klasifikuara të cilat, nëse bëhen publike, mund të dëmtojnë rëndë interesat e Kosovës.
Argumenti se publikimi i këtyre informacioneve është në interes të publikut nuk qëndron ligjërisht, pasi pretendimi që publiku të jetë i informuar me informacione të klasifikuara sipas ligjit nuk mund të prevalojë mbi sigurinë kombëtare. Interesi publik është një koncept që rregullohet me ligj e vlerësohet nga gjykatat dhe organet kompetente, dhe në këtë rast, duket qartë se publikimi i këtyre informacioneve të klasifikuara bie ndesh me ligjin dhe rrezikon sigurinë e shtetit dhe jetët e personave të përfshirë.
Në këtë rast, nëse organet e drejtësisë kanë filluar hetimet për zbulimin e sekreteve shtetërore, atëherë ky është një test dhe sfidë për sistemin e drejtësisë në Kosovë, pasi që përballen me një gjuhë dominuese në media që e dënon ndërmarrjen e veprimeve ligjore sidomos ndaj gazetarëve. Megjithatë,
institucionet e zbatimit të ligjit duhet të inkurajohen që të ndjekin këto raste për të dëshmuar se sundimi i ligjit funksionon, dhe se askush nuk është mbi ligjin, pavarësisht sulmeve publike.