“Xhebrailat” i reagojnë ashpër FBK-së për ndalimin e tifozëve mysafir në palestra
Ditë më parë Federata e Basketbollit të Kosovës mori vendim që të ndalohen udhëtimet e tifozëve mysafir për t’i mbështetur skuadrat e tyre gjatë gjithë këtij edicioni garues në Superligën e Kosovës.
Ky vendim sipas FBK—së erdhi për të shmangur incidentet potenciale ndërmjet tifozëvrive.
Një vendim i tillë nga ana e kësaj federate nuk është pritur aspak mirë nga tifozëve e skuadrave kosovare, por edhe nga drejtues të klubeve.
Një reagim i ashpër ka ardhur së fundi nga grupi i tifozëve nga Suhareka “Xhebrailat” të cilët e mbështesin Golden Egle Yllin. Ata përmes një postimi në “Facebook” kanë bërë të ditur se do t’i bojkotojnë ndeshjet e Superkupës së Kosovës si shenj proteste ndaj federatës, raporton KosovaPress.
Për më tepër, ata e kanë quajtur skandaloz një vendim të tillë dhe se ndihen shumë të shgënjyer nga situata e krijuar.
“Vendimet skandaloze dhe aspak profesionale nga ana e federatës nuk kanë të ndalur, mos guximi për t’i plotësuar kushtet e mysafirëve bëjnë që federata mos t’i lejojë udhëtimet e mysafirëve. Kjo nuk ndodh as në një shtet të botes që t’i mohohet e drejta e mysafirëve ta ndjekin ekipin e tyre. Për me tepër qe nuk i ndalon udhëtimet ne garat ku ajo është organizatore për vetëm në Superligë, Kjo lë shumë për të dëshiruar. Andaj ne si tifozeri me zhgënjimin më të madh bojkotojmë Superkupën deri në një reflektim të federatës. Tifozeritë janë ato që e kanë kthyer sportin e basketbollit në maja të sporteve kosovare dhe do jemi ne që do e rrëzojmë. Basketbolli luhet për ne dhe jo për përfitime të federatës. Iu njoftojmë që nuk do jeni të mirëseardhur në Suhareke deri ta kuptoni që tifozeritë janë simboli i këtij sporti.”, thuhet në fund të reagimit të këtij grupi të tifozëve.