Xhaka shënon në kthesën e madhe të Bayerit kundër Heidenheim
Sport
Lexohet për: 2 min.
19 orë më parë
Linku u kopjua

Futbollistët e Bayer Leverkusen janë ngritur në pozitën e katërt pasi shënuan fitore si vendës kundër Heidenheim me rezultat 5:2, në kthesën e madhe në të cilën mysafirët u treguan “arrë e fortë” në pjesën e parë me dy gola epërsi.

Bayer në këtë mënyrë arriti deri te fitorja e pesë në edicionin e ri të Bundesligës, ndonëse tri pikët e reja u siguruan me mjaft vështirësi.

Heidenheim, i cili renditet në pozitën e 15-të me 10 pikë, erdhi deri te dy gola të shpejtë në pjesën e parë përmes Norsch në minutën e 10-të dhe Honsak në minutën e 21-të.

“Farmaceutikët” shumë shpejt “u zgjuan nga gjumi” duke shënuar hiq më pak se pesë gola, në mesin e tyre edhe Granit Xhaka (82).

Fillimisht, avantazhin e papritur të mysafirëve e zvogëloi Palacio në minutën e 30-të, pas asistimit të futbollistit shqiptar. Vetëm dy minuta më vonë shifrat u barazuan, pasi çeku Schick shënoi pas asistimit të Wirtz.

Në pjesën e dytë brenda gjysmë ore lojë Bayer Leverkusen shënoi tri herë – dy prej tyre Schick (52, 71) duke shënuar kështu het-trik, derisa golin e pestë e shënoi Xhaka.

Sot gjatë ditës Borussia Dortmund mposhti si vendës Freiburg 4:0, Hoffenheim me mjaft mund ia doli të fitojë në terrenin vendës ndaj Leipzig 4:3, Stuttgart mposhti pa probleme Bochum 2:0, Wolfsburg fitoi tri pikë ndaj Union Berlin 1:0 dhe Eintracht Frankfurt i shkaktoi humbje Werderit si vendës me rezultatin 1:0.

Të dielën në programin e Bundesligës janë dy ndeshjet e fundit të xhiros së 11-të ndërmjet Holstein Kiel-Mainz 05 dhe Borrussia M’gladbach- St.Pauli.

Bayer Munih prin në tabelë me 29 pikë, pasuar nga Eintracht Frankfurt me 23, Leipzig 21.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024