Xhaferi: Pajtimi e bashkëpunimi është emëruesi i përbashkët i suksesit të transformimit të rajonit
Lexohet për: 2 min.
1 vit më parë
Linku u kopjua
Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi deklaroi se pajtimi dhe bashkëpunimi është emëruesi i përbashkët i suksesit të transformimit të rajonit.
Kështu u shpreh ai në fjalimin e tij në konferencën e lidershipit ballkanik me temën "Integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE- sfidat dhe perspektivat", e cila po mbahet në Shkup.
Në sesionin "Perspektivat për paqe dhe pajtim në Ballkanin Perëndimor", Xhaferi theksoi se lufta në Ukrainë ka hapur derën për çrregullime në pjesë të ndryshme të botës.
Sipas tij, lajmet e rreme dhe të trilluara nxisin veprime të tmerrshme dhe në favor të prapaskenave të errëta.
Kryeparlamentari Xhaferi theksoi se pajtimi dhe bashkëpunimi është emëruesi i përbashkët i suksesit të transformimit të rajonit.
"Pajtimi dhe bashkëpunimi është emëruesi i përbashkët i suksesit të transformimit të rajonit. Janë faktori fondamental për partnerët tanë dhe për ne si vende në rrugëtimin tonë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe ardhmëria e gjithë rajonit është pikërisht në to. Dhe, kjo Konferencë është provë se ne si rajon, vazhdojmë të ndërtojmë ura bashkëpunimi dhe afrimi ndërmjet popujve tanë, shteteve tona dhe tërë rajonit me Bashkimin Evropian. Kështu krijojmë hapësirë të bollshme për zhvillimin dhe avancimin e kësaj pjese të kontinentit duke u koordinuar për projekte të përbashkëta të filluara në kuadër të Procesit të Berlinit, Qëllimeve të qëndrueshme të Kombeve të Bashkuara dhe politikave të Unionit", përfundoi ai.
Kryekuvendari Talat Xhaferi theksoi se Maqedonia e Veriut po punon në drejtim të arritjes së përcaktimeve strategjike dhe anëtarësimit të plotfuqishëm në BE dhe NATO. /Sh.Pajaziti