Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë rikonfirmuar partneritetin strategjik dhe angazhohen për të vijuar bashkëpunimin me interes të përbashkët në fushën e mbrojtjes, sigurisë kibernetike, energjisë, transportit apo tregtisë.
Kjo ka qenë garancia e dhënë nga ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka dhe sekretari Amerikan i Shtetit, Anthony Blinken në përfundim të dialogut të partneritetit strategjik.
Ai vlerësoi bashkëpunimin në të gjitha fushat dhe shprehu gatishmërinë dhe vullnetin e SHBA për ta thelluar bashkëpunimin në energji, biznes e të tjera duke e parë Shqipërinë si një pikë referimi në rajon.
Sekretari Blinken shprehu mirënjohjen e SHBA ndaj Shqipërisë si një aleat që gjithmonë ka marrë përsipër përgjegjësitë e saj; vlerësoi faktin që Shqipëria strehoi shtetasit afganë dhe nënvizoi se SHBA do të jenë gjithmonë në krah të vendit tonë.
“Shqipëria e vlerëson shumë partneritetin e saj strategjik me SHBA-të dhe jemi të bindur se kjo marrëdhënie do të thellohet dhe zgjerohet më tej në të ardhmen duke u bazuar në themelet e qëndrueshme të miqësisë midis vendeve dhe njerëzve tanë”, u shpreh ministrja Xhaçka gjatë takimit me dy delegacionet.
Të martën në Departamentin e Shtetit u mbajt, takimi më i rëndësishëm i marrëdhënies politike mes dy vendeve: dialogu i partneritetit strategjik SHBA – Shqipëri. Në dialog morën pjesë përfaqësues nga 6 ministri si dhe nga Departamenti i Shtetit, Departamenti i Mbrojtjes, ai i Tregtisë, Korporata Financiare për Zhvillimin Ndërkombëtar, si dhe agjenci të tjera qeveritare ku u diskutuan rrugë për të thelluar bashkëpunimin strategjik./tch