Xavi kapet sërish me arbitrat: E panë të gjithë, është turp
Trajneri i Barcelonës, Xavi, ka kritikuar edhe një herë gjyqtarin pas disfatës të së dielës ndaj Real Madridit në El Clasico. Spanjolli u zemërua me arbitrin pas humbjes së mesjavës nga PSG dhe ishte i pakënaqur edhe një herë me atë që ndodhi në “Santiago Bernabeu”.
Një 'gol fantazmë' në pjesën e parë nga Lamine Yamal ishte problemi i vërtetë, me Xavin të bindur se topi kishte kaluar vijën.
“Të gjithë e kanë parë. Ata mund të më sanksionojnë. Imazhet janë aty. Mund të analizoj vetëm lojën dhe ne kemi qenë më mirë se Madridi. Kemi humbur detaje, por kjo është pjesë e procesit të tranzicionit në të cilin jemi. Ne e merituam të fitonim,” u tha ai gazetarëve.
Portieri i Barçës, Marc-Andre ter Stegen, kritikoi mungesën e teknologjisë në vijën së portës pas ndeshjes, dhe Xavi ra dakord se ishte një problem për La Ligën.
“Epo, jam plotësisht dakord. Është turp. Nëse duam të jemi liga më e mirë në botë, duhet të avancojmë dhe të zbatojmë teknologjinë”, tha në fund ai.