Trajneri i shkarkuar i Barcelonës, Xavi Hernandez tha se ai largohet nga klubi i zhgënjyer pasi ndjeu se puna e tij nuk u vlerësua sa duhet pasi ata e përfunduan sezonin me një fitore 2-1 ndaj Sevillës të dielën.
Xavi, i cili iu bashkua Barçës në një marrëveshje trevjeçare kur holandezi Ronald Koeman u largua në vitin 2021, udhëhoqi gjigantët katalanas drejt titullit të tyre të 27-të të ligës sezonin e kaluar. Ai grumbulloi 90 fitore, 23 barazime dhe 29 humbje në 142 ndeshje, por u shkarkua të premten.
Nënkampionët e La Ligës, Barcelona , e cila përfundoi 10 pikë pas Real Madridit , ka përjetuar një sezon zhgënjyes, duke humbur ndaj Realit në finalen e Superkupës së Spanjës, u eliminua nga Copa del Rey nga Athletic Bilbao në çerekfinale dhe u eliminua nga Champions Liga nga Paris Saint-Germain, përcjellë KosovaPress.
Xavi vendosi të largohej në janar, por ra dakord të kthehej në prill pas bisedimeve me presidentin Joan Laporta, i cili më vonë ndryshoi mendje dhe e shkarkoi atë pas një sezoni pa trofe.
Xavi theksoi se megjithëse nuk ishte dakord me largimin e tij, ai pranoi se klubi ishte më i madh, duke shtuar se puna e trajnerit të ardhshëm nuk do të ishte e lehtë.