“Wanderlust in Albania”, fotot e videot e Shqipërisë turistike në një konkurs ndërkombëtar
Lexohet për: 4 min.
1 vit më parë
Linku u kopjua

“Të magjepsur pas Shqipërisë dhe me një dëshirë të fortë për të udhëtuar dhe vizituar çdo cep të saj”, me këtë fokus Agjencia Kombëtare e Turizmit dhe Ministria e Turizmit dhe Mjedisit e Shqipërisë kanë shpallur sot Konkursin Ndërkombëtar të Fotografisë dhe Videove Reels.

Me anë të këtij konkursi fotografë e vizitorë të apasionuar pas fotografive dhe videove  do të përcjellin imazhet e tyre nga Shqipëria, për të zbuluar dhe përjetuar së bashku një udhëtim magjepsës drejt bukurive shqiptare të bregdetit, të maleve, qyteteve, trashëgimisë kulturore, kulinarisë e lokacioneve arkeologjike.  

Në një konferencë shtypi sot, ministrja Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro dhe drejtorja e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Turizimit Zana Çela kanë ftuar fotografë, kameramanë, njerëz të apasionuar pas fotografisë, por edhe thjesht pushues e vizitorë të Shqipërisë që të bëhen pjesë e konkursit ndërkombëtar të fotografisë dhe videove Reels “WANDERLUST IN ALBANIA: Photos & Reels International Competition”. 

“Jemi në një moment ku sezoni vazhdon, asnjëherë nuk kemi folur për turizëm në nëntor. Kemi pritur deri në 31 tetor, 8.98 milionë vizitorë, ndërsa vetëm ky tetor pati 89% më shumë vizitorë të huaj se tetori i vitit të shkuar. Vazhdimisht kemi shpërndarë në faqet tona online bukuritë e Shqipërisë të realizuara nga amatorë e profesionistë. Por ka qenë pikërisht ky komunikim digjital me këta njerëz pasionantë, me këta shqiptarë dhe të huaj që hedhin në rrjetet sociale për kënaqësinë e tyre, emocionet e momentit që i fiksojnë përmes një telefoni apo përmes një aparati, emocioni që shkaktojnë është e njëjtë, përcjellja e mesazhit është i fuqishëm dhe ishte ky komunikim i këtyre dy viteve me këta njerëz që na çoi në këtë produkt. T’u japim një mirënjohje ndryshe, edhe më profesionale, edhe më institucionale, gjithë kësaj armate pasionantësh të talentuar dhe të dashuruar me natyrën dhe bukuritë shqiptare. është një projekt që erdhi në mënyrë shumë të natyrshme”, tha në këtë konferencë ministrja Kumbaro. 

Ndërsa drejtoresha Çela, ka treguar dhe si lindi ideja për një konkurs të tillë ndërkombëtar.

“Të magjepsur pas Shqipërisë dhe me një dëshirë të fortë për të udhëtuar dhe vizituar çdo cep të saj - pikërisht këtë trend po demonstrojnë veçanërisht këtë vit miliona turistë, që vizituan e vazhdojnë ta bëjnë, vendin tone”, - tha ajo.

Shqipëria rekord edhe në vjeshtë, 9 milionë vizitorë të huaj deri në tetor - KosovaPress

Konkursi “Wanderlust in Albania” do të ndahet në 10 kategori, me tematika të ndryshme: 

1. Peizazhe (natyrore, malore, bregdetare);

2. Foto panoramike (qytetet e Shqipërisë, fshatrat turistikë);

3. Monumente dhe site arkeologjike (monumente kulture, kala, amfiteatër, muze dhe site arkeologjikë ose të ruajtur nga UNESCO);

4. Folklor (etnografi, valle, ritual, traditë);

5. Artizanati dhe zejtaria;

6. Agroturizëm dhe Kulinari (ushqime tradicionale, bujtina, agroturizëm);

7. Eventet e aplikacionit TEA (festivale, festa lokale, koncerte, evente artistike, ekspozita etj);

8. Turizmi sportiv & Ekoturizmi (hiking, zhytje, alpinizëm, kajak, parashutizëm, flora dhe fauna, shtigje, parqe);

9. Arkitekturë (xhami, kisha, arkitekturë mesjetare dhe e re urbane);

10. Foto-reportazh (foto lajm, që rrëfen ngjarje nga jeta).

Të gjithë mund të aplikojnë në faqen e krijuar enkas për këtë konkurs www.wanderlustinalbania.al, duke filluar nga data 20 nëntor.

Fotografët profesionistë dhe të apasionuarit pas fotove e videove artistike e dokumentare mund t’i dërgojnë punimet e tyre më të mira, me imazhe origjinale, autentike, me rezolucionin e duhur për printim dhe përdorim digjital sipas të gjitha kritereve teknike, artistike e etike.

Rritet numri i vizitorëve në Kalanë e Gjirokastrës - KosovaPress

Në këtë konkurs përmes një jurie me ekspertë do të zgjidhen 300 fotografitë dhe 100 videot reels më të bukura nga Shqipëria turistike, me imazhe që frymëzojnë udhëtimet dhe turizmin, për të pasuruar fondin arkivor të Agjencisë Kombëtare të Turizmit.

Konkursi do të ketë dy forma votimi, ku do të përzgjidhen 10 fotografitë dhe 10 vidoet reels më të bukura për secilën kategori përmes një jurie profesionistësh dhe 2 çmime nga votimi online, për fotografinë dhe videon reels më të mirë nga sytë e publikut, votim që do të kryhet në faqen zyrtare të Agjencisë Kombëtare të Turizmit (Visit Albania) në Facebook.

Shpallja e fituesve të konkursit do të realizohet në një mbrëmje gala më 12 dhjetor.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024