LVV: Prishtina kurrë s’ka qenë më keq nga mbeturinat
Lexohet për: 3 min.
336230633_1559052651257860_3145525773625649253_n
1 vit më parë
Linku u kopjua

Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë përmes një aktiviteti sot kërkoi nga komuna të reagojë urgjent në lidhje me mbeturinat, në të kundërtën sipas tyre, adresa ku duhet hudhur mbeturinat qytetarët është komuna. Kjo ndodhi pasi punëtorët e Kompanisë Regjionale të Mbeturinave “Pastrimi” janë në grevë për ngritje të pagave.

Derisa vendosën letra në mure të komunës me mbishkrimin “Rama: Përmes menaxhimit efikas të mbeturinave, ne do të ndryshojmë tërësisht pamjen e qytetit”, ata fajësuan dy partitë më të mëdha opozitare për keqmenaxhim të qeverisjes në lidhje me këtë.

Aktivisti, Denis Krasniqi tha se sot ne ditën që njihet si Dita e Verës, ne vend se të flitet për përmirësimin e hapësirave të gjelbërta e të mbrohen ato, sipas tij, ende duhet të merren me një problem siç është papastërtia.

"Lagjet tona janë mbushur me mbeturina. Trotuaret, rrugicat e parqet, veçse kanë filluar të kundërmojnë. Prishtina kurrë nuk ka qenë me keq në këtë pikë", tha Krasniqi.

Po ashtu, ai tha se nga premtimet e shumta gjatë fushatës të partive opozitare, PDK dhe LDK  në lidhje me zgjidhjen e këtij problemi, sipas tij nga mosveprimi i tyre gjendja veçse është rënduar edhe më shumë.

Krasniqi tha se nëse nuk marrin ndonjë masë urgjente, adresa ku duhet t'i hedhin mbeturinat qytetarët sipas tyre është objekti i komunës.

Ndërkohë, lidhur me këtë, reagoi edhe kryetari i kësaj komune, Përparim Rama në një postim në Facebook.

Rama u shpreh se kjo situatë është e papranueshme edhe pse e kuptojnë zhgënjimin e punëtorëve dhe e njohin të drejtën e tyre për të protestuar, por sipas tij, vendimi i tyre për të ndërprerë punën ka pasur një ndikim të rëndë në pastërtinë e qytetit.

I pari i kësaj komune theksoi se janë të angazhuar me ndërmarrjen për të gjetur një zgjidhje për këtë çështje.

“Kërkojmë ndjesë për shqetësimin e shkaktuar dhe ju sigurojmë se po punojmë me përkushtim të plotë për të zgjidhur sa më shpejtë situatën”, shkroi Rama.

Punëtorët e “Pastrimit” të hënën kanë mbajtur grevë për ngritje të pagave dhe si pasojë e kësaj, ata nuk kanë dalur për të mbledhur mbeturinat. Nga kompania “Pastrimi” për KosovaPress kanë konfirmuar se greva është duke vazhduar edhe sot.

Si pasojë e kësaj greve, pranë kontenjerëve në Prishtinë vërehet sasi e madhe e mbeturinave.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024