Kryetari i Komisionit për Buxhet, Armend Muja, tha se kanë vërejtur disa anomali sa i përket ujit të prodhuar në disa ujësjellës. Ai theksoi se është vërtetuar se disa ujësjellës kanë nënraportuar qëllimshëm ujin e prodhuar.
Kështu deklaroi Muja në konferencën për media ku paraqiti raportin e raportin e Autoritetit Rregullativ të Ujit për ujin e prodhuar në Kosovë për vitin 2023.
“Në vitin 2023 sipas ARrU-së po prodhohen 73% më shumë ujë se sa në vitin 2022 para instalimit të ujëmatësve, kurse te ujësjellësi rajonal i Pejës ‘Hidrodrini’ në vitin 2023, pas instalimit të ujëmatësve, po prodhohen 41% më shumë se sa në vitin 2022...”, tha Muja.
Deputeti Muja, ndër të tjera tha se tek Peja, në dy vitet e fundit ka pasur refuzime të vazhdueshme nga ish menaxhmenti për instalimin e ujëmatësve në burim.
Ai theksoi se i kanë disa supozime fillestare se ku ka shkuar dhe kush ka përfituar nga këto nënraportime të qëllimshme, porse për të njëjtat, tha se do t’i referohen prokurorit për hetim të mëtutjeshëm.
“Të gjitha këto lëndë do të orientohen në dy drejtime, fillimisht Prokurorit të Shtetit për të hetuar se kush ka qenë përgjegjës penal për këtë çështje dhe të punohet në adresimin e defekteve të ujit në mënyrë që këto dhe gjetje të tjera të mos përsëriten si rezultat i dëshirës dhe mosvullnetit politik të një subjekti ose individi, i cili për një moment të caktuar e qeverisë një sektor të rëndësishëm si ky”, tha Muja.