Vuçiq thotë se do t’i kërkojë KFOR-it rikthimin e policisë dhe ushtrisë serbe në Kosovë
Lexohet për: 4 min.
Aleksandar Vuqiq
2 vite më parë
Linku u kopjua

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e cilësoi si veprim të pamatur arrestimin e ish-pjesëtarit serb të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq, nga autoritetet e Kosovës.

Vuçiq në një konferencë për media ka komentuar arrestimin e Dejan Pantiq, i cili dyshohet për organizimin e “sulmit terrorist” ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës, si dhe veprimin e serbëve në veri, të cilët bllokuan rrugët me mjete të rënda.

“Ne jemi duke u kujdesur për këtë ngjarje, sepse normalisht që shërbimet tona me shumë seriozitet e kanë hetuar të gjithë rastin. Po ashtu, kam biseduar edhe me partnerët tanë ndërkombëtarë, ja u kam bërë me dije për pamaturinë, për pamaturinë apsolute të atyre të cilët kishin ndërmarrë një aksion të tillë, të cilët edhe një herë e kanë rrezikuar paqen....Ai akoma vazhdon të gjendet në një vend, e cila është në kundërshtim me të gjitha normat ndërkombëtare, marrëveshjeve, të drejtave ndërkombëtare publike por edhe në kundërshtim edhe me ligjet e tyre, sepse atë vend/pronë e kanë rrëmbyer. Pra ai ndodhet në një bazë në Leposaviq, ku ai në këtë moment mbahet”, tha Vuçiq gjatë një konference për media.

Sipas Vuçiqit, serbët reaguan duke ngritur barrikada, pasi e kuptuan se "prisnin ditën kur dikush do të vinte për ta”.

“Serbët kanë reaguar kundër këtij veprimi, ata e kanë kuptuar, që një ditë do të vjen kur ata do të presin që dikush t’iu vjen pas tyre”, tha ai.

Sipas Vuçiqit, Pantiq jeton në ndërtesën ku gjendet edhe njëra nga zyrat e komisioneve komunale, që u dëmtuan gjatë 6 dhjetorit, kur zyrtarët zgjedhorë, nën përcjelljen e Policisë, kishin tentuar të shkonin.

Pas arrestimit të Pantiqit, serbët lokalë kanë bllokuar rrugët në veri, duke shtyrë Policinë e Kosovës të mbyllë përkohësisht pikëkalimet kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, që lidhin Kosovën dhe Serbinë.

Ai tha se do t’i këkrojnë KFOR-it që policia dhe ushtria serbe të jetë në territorin e Kosovës.

“Sipas rezolutës 1244, ne do të dërgojmë kërkesë komandantit të KFOR-it që të sigurojë pjesëmarrjen e policisë dhe ushtrisë së Serbisë në territorin e Kosovës në pajtueshmëri me rezolutën 1244 të KB. Vendimi i qeverisë sonë për të cilin kemi biseduar me kryeministren do të merret të hënën ose të martën. Dëshiroj t’iu informojë se këtë kërkesë do ta dërgojmë majorit të KFOR-it Ristucchi më vonë do t’iu tregoj edhe pse unë nuk kam iluzione dhe e di që ata do ta refuzojnë kërkesën tonë këtë po ju tregoj qysh tani, mirëpo bazuar në fjalorin e së drejtës ata patjetër që duhen ta pranojnë këtë kërkesë”, tha ai.

Vuçiq akuzoi autoritetet në Kosovë se kanë shkelur Marrëveshjen e Uashingtonit, të arritur në Shtëpinë e Bardhë më 4 shtator të vitit 2020.

“Prishtina më 15 dhjetor zyrtarisht do të aplikoj në Bruksel për anëtarësi në BE... Kjo për neve është një ngjarje tejet e papërshtatshme kjo shkatërrim i marrëveshjes së Uashingtonit”, tha ai.

Përndryshe, Kurti ka paralajmëruar se gjatë këtij muaji Kosova aplikon për anëtarësim në BE.

Marrëveshja e Uashingtonit, të cilës iu referua Vuçiq, veç tjerash, parashihte një moratorium njëvjeçar për Kosovën dhe Serbinë. Kosova ishte zotuar se për një vit nuk do të aplikonte për anëtarësim në institucione e organizata ndërkombëtare, afat ky i cili tanimë ka kaluar. Ndërkaq Serbia të ndalte fushatën për tërheqjen e njohjeve të pavarësisë së Kosovës.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024