Vuçiq: Serbia nuk do të mbështesë anëtarësimin e Kosovës në OKB
Lexohet për: 2 min.
1 vit më parë
Linku u kopjua
Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, ka deklaruar që asnjëherë nuk do të mbështesin anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Ai ka folur në një konferencë për media me ministrin e Punëve të Jashtme të Suedisë, Tobias Billström, ky i fundit ka theksuar që presin zbatimin e të gjitha dispozitave të marrëveshjes dhe aneksit të saj, në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Sipas diplomatit suedez, tani do të jetë e rëndësishme që Serbia të përafrohet me BE-në dhe të zbatojë agjendën e saj të reformave.
“Tani do të jetë e rëndësishme që Serbia të përafrohet plotësisht me BE-në në lidhje me Rusinë dhe të zbatojë agjendën e saj të reformave. Sa i përket dialogut për normalizim presim që të gjitha dispozitat e marrëveshjes dhe aneksit të zbatohen menjëherë”, ka thënë Billström.
Ndërsa sipas Vuçiq, Kosova duhet të formojë asociacionin dhe pastaj Serbia do të përmbushë pjesën e saj të punës.
Ai ka shtuar se qëndrimi i Serbisë është që nuk do të mbështesë anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara.
“Serbia nuk do ta mbështesë anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara dhe agjencitë dhe institucionet e specializuara të Kombeve të Bashkuara, për këtë i kam informuar qartë të gjithë ata që marrin pjesë në negociata, edhe palën tjetër”, ka thënë ai.