Vuçiq nuk do të marrë pjesë në takimin me Kurtin
Lexohet për: 2 min.
vuciq
1 vit më parë
Linku u kopjua

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha më 18 qershor se nuk do të marrë pjesë në takimin me kryeministri e Kosovës, Albin Kurti, që është thirrur nga Brukseli.

“Unë e konsideroj të pakuptimtë të flas me një person që nuk është i gatshëm të flasë”, tha Vuçiq për gazetarët në Beograd.

Vuçiq saktësoi se do të vendosë nëse, siç tha ai, “teknikisht të paraqitem në atë takim”, duke shtuar se ky do të jetë një vendim i tij strategjik për të cilin do ta informojë opinionin.

“Por, të flasim me Kurtin, jo”, shtoi ai.

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, ka ftuar Kurtin dhe Vuçiqin në një takim që është thënë se do të mbahet javën e ardhshme.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se ende nuk ka vendosur nëse do të shkojë në takimin e Brukselit. Ai të shtunën, më 17 qershor, deklaroi për mediat në Prishtinë, se ekipi i tij do t’i përgjigjet ftesës së Borrellit në fillim të javës së ardhshme.

Vuçiq tha po ashtu se takimi me kryeministrin e Kosovës ishte kushtëzuar me përmbushjen e kërkesave të Serbisë: tërheqjen e kryetarëve shqiptarë nga komuna e Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut, tërheqjen e Policisë së Kosovës nga veriu i Kosovës dhe lirimin e serbëve të arrestuar.

Presidenti serb tha se shteti i tij do të mbetet në rrugën evropiane derisa ai ta udhëheqë Serbinë. Megjithatë, ai vlerësoi se gjatë kësaj periudhe, Serbia nuk do të bëhet anëtare e BE-së.

Ftesa nga Brukseli për takimin mes dy liderëve erdhi pas rritjes së tensioneve në veri të Kosovës. Tensionet në këtë pjesë, që banohet me shumicë serbe, nisën më 26 maj kur Policia e Kosovës asistoi kryetarët e rinj shqiptarë të tri komunave që të hyjnë në objektet komunale, përkundër kundërshtimit të serbëve lokalë./REL/

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024