President serb Aleksandër Vuçiq mbajti paraditen e sotme një konference për media në Beograd ku Kosova zuri vendin e parë ndër çështjet që diskutoi me gazetarët prezentë. Ai foli për propozimin franko-gjerman që i kërkon Serbisë të mos bëhet pengesë për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe si shpërblim do të ketë ndihma ekonomike dhe lehtësim të procesit të integrimit në Bashkimin Evropian.
Vuçiq tha se e kishte fjalën pikërisht për këtë propozim kur deklaroi kohë më parë se “po ndryshon arkitektura e bisedimeve" por ndaj të cilës deklaratë kishte reaguar i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak të cilën e kishte mohuar dhe e kishte parë të çuditshme fjalorin e përzgjedhur nga presidenti serb.
Presidenti serb tha se thelbi i propozimit franko-gjerman është që Serbia të mos bëhet pengesë për anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe organizata të tjera ndërkombëtare.
Sipas tij, Serbia nuk do të jetë e detyruar që të njohë pavarësinë e Kosovës, pasi siç tha ai “nuk duan të na poshtërojnë më shumë”. Ndërsa shteti serb do të kishte dhe benefite të tjera.
Vuçiq u shpreh se do të bëjnë gjithçka është në dorën e tyre për të kundërshtuar anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara ndërsa sa të jetë ai president nuk do të ketë njohje të pavarësisë së Kosovës.
“Ajo që është politika e vendit tonë është që ata mund të na marrin gjithçka, mund të bëjnë gjithçka, ne do të luftojmë sa të mundemi me gjithë fuqinë tonë, politike dhe ligjore, për të mbrojtur vendin tonë, për të mbrojtur kufirin tonë dhe të ruajmë dhe të mbrojmë integritetin tonë territorial në përputhje me të drejtën ndërkombëtare publike anormale. Duket, por gjithsesi nuk ka vullnet në këtë moment, kam biseduar me kryeministrin, nuk ka vullnet në lidershipin serb, ndërsa deri sa unë jam president, të paktën në atë një pjesë të pushteti ekzekutiv, nuk do të ketë vullnet për të pranuar pavarësinë e Kosovës dhe anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara”, tha Vuçiq.
“Sa për negociatat dhe bisedime nuk e di se a do të ketë, shoh që riregjistrimi po ju shkon shumë mirë, serbët dëgjuan zërin e ëmbël të Albin Kurtit, 9 prej tyre kanë aplikuar për ndërrimin e targave prej 9000 automjeteve, çdo 1000, pra mirë ju ka ec deri tani. Kaq sa për besimin e serbëve në Albin Kurtin dhe institucionet e tyre”, tha Vuçiq.
Kreu i shtetit serb tha se për herë të parë duhet të pranojë se dërgimi i çështjes së pavarësisë së Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë ishte gabim më i madh që ka bërë Serbia. GjND i kishte dhënë të drejtë Republikës së Kosovës në aktin e saj për pavarësi.