Vrasjet e grave, Policia e Kosovës: Dhuna në familje shkatërron jetët e njerëzve
Lexohet për: 2 min.
7 muaj më parë
Linku u kopjua

Policia e Kosovës ka reaguar pas dy vrasjeve të fundit në Kosovë duke thënë se rastet e dhunës në familje vazhdojnë të mbeten shqetësuese përkundër faktit se rastet e tilla në vitin e fundit kanë shënuar rënie nga 2.757 në 2.460 ose 10.77% krahasuar me vitin paraprak. Në reagim thuhet se dhuna në familje shkatërron jetët e njerëzve, sikurse në dy rastet e fundit të vrasjeve të grave në Ferizaj më 12.04.2024 dhe sot në Pejë. Në të dy rastet Policia e Kosovës ka ndërmarrë veprime konkrete duke arrestuar personat e dyshuar dhe të njëjtit i ka dërguar para organeve kompetente të drejtësisë.

Veprimet ligjore të cilat bien në kompetencë të Policisë së Kosovës janë ndërmarrë çdo herë, duke përfshirë edhe bashkëpunimin me institucionet relevante siç janë, qendrat për pune sociale, mbrojtësit e viktimave dhe organet e drejtësisë. “Në të gjitha rastet janë arrestuar personat e dyshuar dhe rastet janë trajtuar sipas udhëzimeve të organeve të drejtësisë, ashtu siç ka ndodhur edhe me arrestimin e dy personave të dyshuar të cilët dyshohen se kanë kryer vrasjet në Ferizaj dhe Pejë”, ka thënë Policia e Kosovës. Policia e Kosovës thotë se në vazhdimësi po bën përpjekje për krijimin e një ambienti të qetë e të sigurt për të gjithë, teksa sistemi ligjor duhet të sigurojë për t’i dhënë fund çfarëdo lloji të dhunës në familje.

“Përdorimi i  dhunës nuk është formë e zgjidhjes së problemeve, vdekja e një personi në çfarëdo rrethane është tragjedi për familjen dhe komunitetin, andaj Policia e Kosovës vazhdon t’u bëjë thirrje të gjithë njerëzve që të bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës, t’i raportojnë rastet pa vonesë, pasi kjo është mënyra e duhur për t’i zgjidhur dhe parandaluar rastet, si dhe për t’i sjellë të dyshuarit para organeve të drejtësisë, për ta marrë dënimin e merituar nga institucionet kompetente,” përfundon reagimi i Policisë së Kosovës.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024