Gjykata Themelore në Mitrovicë i ka vazhduar edhe për dy muaj masën e paraburgimit të pandehurit A.S., i cili dyshohet se më 27 maj 2026 ka privuar nga jeta një person dhe ka plagosur vëllain e viktimës në Lagjen e Romëve në Mitrovicë.
Zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Hateme Haxhaj, ka konfirmuar për KosovaPress, se kërkesa për vazhdimin e paraburgimit është bërë nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë më 18 qershor 2026.
Ajo ka bërë të ditur se hetimet ndaj të pandehurit janë ende në zhvillim, ndërsa me urdhër të gjyqtarit është kërkuar ekzaminimi psikiatrik i tij.
“Sa i përket fazës së hetimeve, deri më tani, me urdhër të gjyqtarit të procedurës paraprake, duke vendosur sipas kërkesës së mbrojtëses së të akuzuarit, është urdhëruar ekzaminimi psikiatrik për të pandehurin. Sipas informacioneve që kemi, i njëjti është dërguar në ambientet e Institutit të Psikiatrisë Forenzike të Kosovës me qëllim të përfundimit të këtij ekzaminimi”, ka thënë Haxhaj.Prokuroria Themelore në Mitrovicë kishte konfirmuar se viktima kishte pësuar plagë në pjesën e fytit nga një armë e ftohtë – thikë. I dyshuari ishte arrestuar menjëherë pas rastit dhe, me vendim të prokurorit kujdestar të Departamentit për Krime të Rënda, ishte dërguar në mbajtje.