Vrasja e mbrëmshme në Prishtinë, një muaj paraburgim për të dyshuarën
I është caktuar një muaj paraburgim të dyshuarës N.M. e cila në orët e mbrëmjes të së enjtes dyshohet se ka vrarë një burrë në Prishtinë.
Lajmin për KosovaPress, e ka konfirmuar Medina Gashi, bashkëpunëtore profesionale në zyrën e kryetares së gjykatës.
“Ju njoftojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë-Departamenti për Krime të Rënda dhe ndaj të pandehurës N.M është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji, e cila masë do të zgjasë nga data 20.08.2024 deri me datë 19.09.2024, për shkak të veprës penale Vrasje e rëndë nga neni 173 par.1 pika 1.3 të KPRK-së dhe veprës penale Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 par.1 të KPRK-së”, thuhet tutje në konfirmim.
Vrasja ka ndodhur në rrugën “Ismet Krasniqi”, në kryeqytet, ndërsa lajmi të enjten është konfirmuar edhe nga zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
Ahmeti, të enjten ka deklaruar se e dyshuara femër është vetëdorëzuar në Polici.
https://kosovapress.com/vrasje-ne-prishtine-e-dyshuara-vetedorezohet-ne-polici