Vrasja e gruas në Pejë, Konjufca kërkon konsolidim të mekanizmave të sigurisë dhe gjyqësisë
Lexohet për: 2 min.
9 muaj më parë
Linku u kopjua
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka kërkuar konsolidim të mekanizmave të sigurisë dhe gjyqësisë që raste të vrasjes së grave mos të ndodhin më.
Sipas kryeparlamentarit, vrasja e sotme në Pejë, por edhe ajo e para disa ditësh në Ferzaj janë bërë nga burra që kanë pasur vepra penale sa i përket dhunës në familje.
"Ajo çka është urgjente që duhet të ndodh është konsolidimi i mekanizmave tanë të sigurisë dhe gjyqësisë që raste të tilla mos të ndodhin. Rastet që po ndodhin kundër grave dhe vajzave dhe dhuna e ushtruar është kryesisht prej personave të cilët edhe më herët kanë pasur raste penale dhe shkelje të rënda. Sistemi i drejtësisë me shumë lehtësi i liron ata dhe kjo është parapërgatitje për raste më të rënda, siç ishte me dy rastet që ndodhën në Kosovë", theksoi Konjufca.
Konjufca në Forumin për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, kërkoi drejtësi edhe për të mbijeturat e dhunës sekuale gjatë luftës në Kosovë.
Ndërkaq, ai potencoi edhe angazhimin e Kuvendit të Kosovës për barazi gjinore.