Gjykata Themelore në Prishtinë, edhe në rigjykim për vrasjen e 18-vjeçarit në Podujevë, të miturin e parë e ka dënuar me 10 vjet burgim kurse të miturin e dytë me 9 vjet burgim.
Kështu ka deklaruar avokati i të dëmtuarve, Tomë Gashi, i cili ka thënë se Gjykata sot ka vendosur të njëjtin dënim për të miturit si në muajin maj.
“Ka vendosur si herën e kaluar, në majin e këtij viti, duke i shqiptuar dënim njëri në kohëzgjatje prej 10 viteve dhe tjetrit prej 9 vitesh. Me këtë vendim të gjykatës i cili është vendim i përsëritur për shkak se Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim dhe rivendosje vërtetohet se rasti është kthyer në rigjykim për shkaqe teknike krejtësisht formale dhe jo që ka ndryshuar ndonjë gjendje faktike. Gjykata po ashtu i ka shpallur fajtorë për vrasje të rëndë dhe jo sipas pretendimeve të tyre që kinse diçka ka qenë incident momental, gjë që është vërtetuar edhe me video incizime dhe me prova të tjera që gjithçka faktikisht i ka paraprirë një sulmi të mëhershëm dhe Gjykata në prizmin tim ka vendosur drejtë”, ka thënë Gashi.
Po ashtu, sa i përket njërit prej të miturve që është dënuar për 9 vite si përgjegjës, Gashi ka shtuar se do të paraqesin ankesë.
Për kthimin e rigjykimit, Gashi ka theksuar se kjo është “a,b,c-ja” e drejtësisë, dhe sipas tij duket se Gjykata nuk e ka ditur që nuk mund të jetë në të njëjtën kohë edhe si gjyqtare në procedurën paraprake dhe kryetare e trupit gjykues.
Lulzim Fejzullahu, është rrahur me shkop bejsbolli nga dy të miturit me 15 janar të këtij viti dhe është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë.
Në gjykimin e parë, Departamenti për të Mitur në Gjykatën Themelore në Prishtinë, më 23 maj 2024 kishte shpallur aktgjykim dënues ndaj dy të miturve lidhur me vrasjen e 18-vjeçarit në Podujevë.
I mituri i parë u dënua me 10 vjet burgim, kurse i mituri i dytë u dënua me 9 vjet burgim.