Raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën Viola von Cramon ka reaguar pas raportimeve se shqiptarët po fshihen nga lista e votuesve në Serbi, duke kërkuar që raste të tilla të përfshihen në raportin paraprak të Misionit vëzhgues të zgjedhjeve, por edhe në deklaratën e PE-së.
Von Cramon u përgjigj kështu ndaj ankesës së Teuta Fazliut, e cila ka bërë të ditur në Twitter se nuk ka mund të votojë pasi është fshirë nga lista e votuesve ndonëse është nga Bujanovci.
Para dy vjetësh, Teuta Fazliu nga Divizioni për Avancimin e të Drejtave të Njeriut në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal të Kosovës, u njoftua nga autoritetet komunale të Bujanocit se emri i saj është hequr nga lista e vendqëndrimit ku kishte qenë e regjistruar.
“Shteti i Serbisë më fshin nga lista e votuesve vetëm pse jam shqiptare e Bujanocit. Kush do të më mbrojë? BE, Kosova apo Shqipëria”, ka shkruar ajo në Twitter.
Sipas vlerësimeve të Këshillit Kombëtar Shqiptar, janë mbi 3.000 adresa që janë pasivizuar në Medvegjë dhe mbi 2.000 në Preshevë e Bujanoc.