Raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën Viola von Cramon e ka quajtur “shaka” dhe “jashtë realitetit” deklaratën e shefit të BE-së Josep Borrell dhe Komisionit Evropian mbi zgjedhjet në Gjeorgji, ku partia në pushtet “Ëndrra gjeorgjiane” mori 55% të votave nga pothuajse 100% të votave të numëruara.
Von Cramon në një postim në X tha se deklarata e përbashkët e lëshuar sot për media nga shefi i BE-së dhe KE-ja, nuk ka të bëjë me realitetin dhe nuk është e dobishme për popullin e Gjeorgjisë.
“Ne nuk mund t'i njohim ato zgjedhje. Kjo duhet të ketë qenë fjalia e parë!”, shkruan raportuesja von Cramon.
Në deklaratën e përbashkët e Përfaqësuesit të Lartë Josep Borrell dhe Komisionit Evropian për zgjedhjet parlamentare në Gjeorgji thuhet se ato ishin të rregullta dhe mirë të organizuara.
Për më tepër, vëzhguesit e zgjedhjeve raportojnë një fushë loje të pabarabartë, një fushatë përçarëse në atmosferë të polarizuar dhe shqetësime të rëndësishme mbi ndikimin e ndryshimeve të fundit legjislative në këtë proces zgjedhor.
Në deklaratën e përbashkët i bëhet thirrje Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Gjeorgjisë dhe autoriteteve të tjera përkatëse që të përmbushin detyrën e tyre për të hetuar dhe gjykuar me shpejtësi, transparente dhe në mënyrë të pavarur parregullsitë zgjedhore dhe pretendimet për to.
BE i bën thirrje Gjeorgjisë të miratojë reforma demokratike, gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme, në përputhje me parimet thelbësore të integrimit evropian, duke porositur se çdo legjislacion që cenon të drejtat dhe liritë themelore të qytetarëve gjeorgjianë dhe që bie ndesh me vlerat e parimet mbi të cilat është themeluar BE-ja, duhet të shfuqizohet.
Ndryshe, “Ëndrra gjeorgjiane”, partia e miliarderit Bidzin Ivanishvili, fitoi 55 për qind të votave bazuar në të dhënat nga 100 për qind e qarqeve të numëruara, ndërsa koalicioni opozitar pro-evropian fitoi rreth 37 për qind, njoftoi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sot.
“Ne nuk i njohim rezultatet e rreme të zgjedhjeve të vjedhura”, tha Tina Bokuçeva, kryetare e Lëvizjes së Bashkuar Kombëtare, një nga katër partitë në koalicionin opozitar, në një konferencë për shtyp.
Duke dënuar marrjen e pushtetit dhe “puçin kushtetues”, një nga liderët e opozitës, Niko Gvarami, tha se opozita “ka deshifruar një skemë për të falsifikuar zgjedhjet”.
Shumë gjeorgjianë besonin se zgjedhjet e djeshme parlamentare ishin ndoshta vota më e rëndësishme e jetës së tyre, pasi ato do të përcaktonin nëse Gjeorgjia do të ndiqte rrugën drejt BE-së, apo do të pranonte autoritarizmin dhe ndikimin rus.
Sipas sondazheve parazgjedhore, rreth 80 për qind e gjeorgjianëve janë në favor të anëtarësimit në BE dhe kushtetuta e vendit i detyron liderët e saj të përpiqen për anëtarësim në Bashkimin dhe NATO.
Partitë opozitare, me ftesë të presidentes Saloma Zurabishvili, nuk u bashkuan në një koalicion të vetëm, por edhe me thirrjen e saj, firmosën "Kartën gjeorgjiane", duke rënë dakord që në rast të fitores së opozitës, një qeveri ekspertësh të formohet, e cila do të siguronte tranzicionin demokratik dhe do të zbatonte reformat e nevojshme për të vazhduar rrugën drejt BE-së.