Volumi i mallrave drejt Kosovës përmes Portit të Durrësit, rritje me 50 për qind
Biznes
Lexohet për: 2 min.
9 muaj më parë
Linku u kopjua

Volumi i mallrave me destinacion Kosovën përmes Portit të Durrësit u rrit me 50 % gjatë tetëmujorit të këtij viti.

Tashmë prej datës 1 tetor të vitit 2022, në doganën e Durrësit po kryhet zhdoganimi i të gjitha mallrave me destinacion Kosovën.

Janë 1040 biznese nga Kosova që përfitojnë aktualisht nga hapja e kësaj dege, jo vetëm kohë, por edhe kosto të reduktuar zhdoganimi.

Në kuadër të vizitës zyrtare në Shqipëri, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ndaloi dhe në Portin e Durrësit, ku u takua me drejtorin e Përgjithshëm të Doganave, Gent Gazheli, si dhe drejtorin e përgjithshëm të Autoritetit Portual Durrës, Pirro Vengu.

Gjatë këtij takimi u diskutua mbi ecurinë e shkëmbimeve tregtare me Kosovën, bashkëpunimin doganor dhe ecurinë e përpunimit të mallrave të Kosovës në import dhe eksport, përmes kompleksit portual Durrës/Porto Romano.

Osmani, gjatë ndalesës në Terminalin e Trageteve vizitoi dhe zyrat e doganës së Kosovës, ku prej 10 muajsh realizohen të gjitha procedurat e zhdoganimit.

Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen për të gjitha lehtësitë e ofruara nga autoritetet shqiptare, duke mundësuar ndërveprim me të madh mes dy doganave, përshpejtim të procedurave dhe rritje të bashkëpunimit tregtar përmes portit të të gjithë shqiptarëve, transmeton ATSh.

Sipas raportit të publikuar nga Instituti i Statistikave (INSTAT) mbi tregtinë e jashtme, eksportet shqiptare drejt Kosovës gjatë periudhës janar-korrik ishin mbi 237 milionë euro, nga rreth 220 milionë euro që ishin në 7-mujorin e 2022-shit.

Ndërkohë, importet për 7-mujorin llogariten 64 milionë euro nga mbi 90 milionë euro që ishin në 7-mujorin e 2022-shit.

Eksportet kryesore të Shqipërisë drejt Kosovës përfaqësohen nga eksporti i materialeve të ndërtimit dhe metaleve, mineraleve dhe lëndëve djegëse, ushqimeve si dhe produkteve kimike dhe plastike.

Si është cilësia në arsim nëpër shkolla e fakultete?
E mirë
Mesatare
E dobët
Voto
71
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024