Ne vazhdimisht themi se po përpiqemi ta ndajmë Serbinë nga Rusia. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq pretendon se edhe ai e do këtë, por se i duhet më shumë kohë dhe hapësirë, andaj luan në të dyja anët, ka deklaruar Kurt Volker, ish-ambasador i SHBA-së në NATO.
“Kjo është ajo që SHBA-ja dhe Franca thonë se është politikë e tyre - ne duhet ta ndajmë Serbinë nga Rusia. Por, ta arrish këtë duke forcuar personin që ruan marrëdhëniet midis Rusisë dhe Serbisë, duket se nuk ka shumë kuptim. Nën Vuçiq, kemi parë forcimin e nacionalizmit serb, përpjekje për të minuar Malin e Zi, për të mbështetur presidentin e Republikës Serbe Milorad Dodik dhe për të minuar Bosnje e Hercegovinën...”, tha Volker për Radion Evropa e Lirë
Ai thotë Vuçiq po përpiqet ta shndërrojë Serbinë në një Rusi në Ballkan, duke u shndërruar një komb dominues në mesin e të tjerëve në Ballkanin Perëndimor, që luan me kartën e minoritetit serb në vende të tjera, duke u mbështetur në masë të madhe te Rusia, burimet e saj energjetike, Kisha Ortodokse Ruse.
“Vuçiq luan një rol të madh në prapaskenë, e të cilat shkojnë në favor të nacionalizmit serb. Edhe me Perëndimin luan duke thënë: mirë, e dini, unë duhet të bashkëpunoj me Rusinë, por premtoj se do të vendos sanksione ndaj Rusisë. Ai e luan këtë lojë”, tha ai.
“Kështu që unë mendoj se Rusia ka ndikim të madh në Serbi dhe se Vuçiq po e përdor atë si atu në marrëdhëniet me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara. Ne vazhdimisht themi se po përpiqemi ta ndajmë Serbinë nga Rusia. Vuçiq pretendon se edhe ai e do këtë, por se i duhet më shumë kohë dhe hapësirë, andaj luan në të dyja anët... Perëndimi merret më shumë me Vuçiq sesa me promovimin e demokracisë në pjesën tjetër të Ballkanit. Ekziston një shprehje në SHBA, që ne shpenzojmë më shumë kohë për armiqtë sesa për miqtë. Unë mendoj se BE-ja është disi fajtore për këtë në Ballkan”, ka thënë ai.